MENU
klinika

U arrestua nga SPAK

I “forti” i Kukësit Bujar Gërmizi me polici private, ruan gjykatën

25.11.2023 - 11:34

Një nga emrat më të njohur të botës së krimit në qytetin e Kukësit Bujar Ajeti, alias Gjërmizi, rezulton i përfshirë në disa biznese, ku kryesisht vepronte si aksioner në hije, pikërisht në policinë private “ORKA” dhe në një hidrocentral në Kukës.

Të dyja këto pasuri dhe prona të tjera, ku dyshohet se qëndron hija e Bujar Gjërmizit, janë vënë në verifikim dhe pritet që në ditët në vijim SPAK, të ndërmarrë një operacion tjetër për sekuestrimin e këtyre aseteve pasurore.

Kjo pasi prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, paralelisht me hetimin e veprave penale të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje dhe trafik droge, janë duke hetuar dhe asetet pasurore, llogaritë bankare, automjet luksoze të poseduara nga Bujar Ajeti, Erzen Breçani, djali i tij, Eralbi dhe persona të tjerë.

Informacionet e siguruara nga “Ora News” mësohet se Bujar Ajeti qëndron si pronari në hije i policisë private “ORKA”, që vepron në qytetin e Kukësit.

Kjo polici ka si aksioner me 100 për qind të pronësisë vëllain e Bujar Gjërmizit, shtetasin Urim Gjërmizi.

Fillimisht kompania “ORKA” është themeluar në vitin 2015 me pronar Adriatik Brahën. Por në janar 2019, kundrejt shumës prej 1 milion lekë të vjetra, Braha ka vendosur ti shesë policinë private, Urim Gjërmizit, vëllait të Bujar Gjërmizit alias Ajetit.

Pavarësisht se Urim Gjërmizi rezulton pronari në letra i policisë private “ORKA”, në fakt Bujar Gjërmizi është ai që shfaqet në teren dhe negocion kontratat në tendera për sigurinë fizike të institucioneve shtetërore dhe institucioneve private, si hidroçentrale dhe jo vetëm.

Nga një vëzhgim në sistemin e thesarit, rezulton se nga viti 2015 kur është themeluar dhe deri në janar 2019, kur është shitur tek Urim Gjërmizi, kjo polici private ka fituar 10 milion e 300 mijë lekë të vjetra nga sigurimi fizik i Spitalit të Kukësit.

Ndërkohë pas janarit 2019 dhe deri më sot, “ORKA” e familjes Gjërmizi në Kukës ka fituar 156 milion lekë nga tenderat e fituara në institucionet shtetërore si spitali i Kukësit, spitali i Hasit, Gjykata e Kukësit, Agjencia Rajonale e Bujqësisë.

Veç këtyre shërbimeve për rroje fizike në institucionet shtetërore, kompania private “ORKA” mësohet se garanton sigurinë fizike dhe të disa hidrocentraleve në Kukës.

Veç kësaj pasurie, SPAK po heton Gjërmizin edhe për sa i përket rolit të tij si aksioner i fshehur në një nga hidrocentralet e vegjël në Kukës./OraNews