Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kryetar të Partisë Demokratike në një lidhje live me “Real Story” analizoi veprimet e kësaj partie dhe zhurmën e shkaktuar në seancat plenare, por edhe në komisionet parlamentare.
Ai tha se Partia Demokratike është tretuar në vlera dhe është ndarë në fragmente, të cilat sipas tij përplasen për interesa personale dhe jo për interesin e atij grupi njerëzish, të cilët i kanë votuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Ai tha se “copëzat” e Berishës dhe Bashës, janë dy enë politike, të cilat nuk komunikojmë me njëra tjetrën dhe secili është mbyllur në realitetin e vet duke lënë jashtë çdo vlerë tjetër.
“Nga ajo kohë ka rrjedhur shumë ujë. PD jo më që nuk është ajo e 2005 që ngjalli shpresë, janë konsumuar tezat politike, u konsuamuan edhe figura politike, por nuk është as ajo e 2021. Sot PD nuk është as ajo e 2021, sot është e ndarë në disa fragmente, institucionalisht në grupimin e Rithemelimit i mbyllur në kullën e Berishës dhe pjesa zyrtare e mbyllur në flluskën e z. Basha. Secili jeton si realitet më vete duke injoruar dhe realitete e tjera që janë në parti”, tha Kadilli.
Ai komentoi edhe vizitën e Lulzim Bashës në SHBA, i cili me sa duket, më shumë se për politikë, e përdori për të thënë se e ka derën hapur atje dhe nuk është i ndaluar. Sipas Kadillit, mungesa e Bashës dhe mospërfshirja e tij në politikën aktive gjatë muajve të fundit nuk justifikohet me këtë vizitë.
“Vizë për të shkuar në SHBA kanë shumë njerëz, por nuk prodhojnë politike, Basha si kryetar i forcës zyrtare do duhet të prodhojë politikë. Mungesa e tij, sidomos muajt e fundit, që ka një ndezje të forte politike, nuk justifikohet jo vetëm me vizitë në Amerikë. Secila nga këto fragmente janë pula pa koka nuk komunikojnë dhe janë të shkëputura nga realiteti politik i shoqërisë shqiptare dhe ndaj janë të padobishëm për shoqërinë”, tha Kadilli.
I pyetur nga gazetari Sokol Balla, se si i vlerëson politikisht deputetët që bëjnë pjesë në grupimin e Gazment Bardhit, për këtë Kadilli dha këtë përgjigje:
Grupi i deputetëve ka humbur legjitimitetin, sepse nuk kupton atë që thamë më parë, se PD nuk është më ajo që votuan njerëzit me 25 prill 2021. Janë copëza, është bërë si një pllakë e thyer, Dhe ky grup deputetësh kanë mprehur lapsin dhe shohin koeficientin më të lartë, e ka Berisha për të prodhuar deputetë më shumë apo e ka z. Basha për të prodhuar deputetë më shumë. Prandaj janë të padobishëm për publikun. Shqiptarët kanë nevojë për një projekt të ri politik”, tha ai.