Në mes kaosit në Kuvend, PS ka miratuar brenda 10 minutave buxhetin e vitit 2024.
Deputetët e opozitës fillimisht janë përplasur me Gardën e Republikës, e cila është vendosur në gatishmëri për të siguruar mbajtjen e rregullit gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku u miratua nen për nen buxheti për vitin 2024.
Teksa deputetët tentuan që të mbledhin karriget në mes të sallës së Kuvendit, ata janë penguar nga Garda.
Mbi 40 punonjës të Gardës janë angazhuar për të shmangur kaosin parlamentar që ka shoqëruar legjislativin në çdo seancë gjatë muajit të fundit.
Rithemelimi më parë kishte paralajmëruar sërish kaos dhe bllokim të punës në Kuvend, pas përjashtimit me 10 ditë të 6 deputetëve; Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti, si protagonistët e tensioneve herën e shkuar për të sabotuar me flakadanë e flakë punën e Kuvendit.
Gardistët kanë rrethuar foltoren e Kuvendit rreth 1 orë para nisjes së seancës, për të mos lënë deputetët e Rithemelimit të vijojnë me skenarin e tyre të zakonshëm të përmbysjes së karrigeve, megjithatë pa rezultat.