Vladimir Putin konfirmoi sot se do të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të 17 marsit…
Njoftimi zyrtar mbërriti vetëm sot, 8 dhjetor 2023, pak më shumë se tre muaj para hapjes së qendrave të votimit.
Vonë, por në fund të fundit, nuk kishte aq nevojë për këtë njoftim. Vladimir Putin zyrtarizoi sot rikandidimin e tij për postin e presidentit të Rusisë në zgjedhjet e 17 marsit. Duke i dhënë “frymë” sloganit që qarkullonte prej disa javësh: “Krenari- Shpresë- Besim”.
Lajmi për rikandimin e tij doli në fillim të nëntorit, ku u bë e qartë se njeriu që ka qenë në krye të Rusisë prej 23 vitesh, përfshirë ato të shpenzuara si kreu i qeverisë, kishte vendosur të kandidonte sërish.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i tij, shpejtoi ta mohonte, duke thënë se asgjë nuk ishte vendosur ende. Por nuk kishte asnjë dyshim se do të ndodhte.
Vetë Peskov, i cili në shtator të këtij viti i cilësoi zgjedhjet administrative në të gjithë vendin si “burokraci të shtrenjta”, kishte pranuar se “ndokush mund të mos votojë”. Sepse Rusia në vitin 2024 do të jetë ende një vend në luftë dhe sepse Putini “është më i dashuri në çdo familje në vend”. Ka disa të vërteta në secilën prej këtyre dy pohimeve.
Por është gjithashtu e vërtetë se për të pasur prova të popullaritetit të presidentit, do të duheshin edhe kandidatë përballë tij. Një profesion i cili, siç dëshmohet nga e kaluara e afërt, mund të jetë mjaft kërkues.
Dy nga sfiduesit e Putinit që kundërshtojnë “operacionin special ushtarak” në Ukrainë sigurisht që do të jenë në garë, siç kanë lënë të kuptohet tashmë. Ata të dy i përkasin galaktikës liberale, ndaj do t’i vjedhin votat njëri-tjetrit. Ata janë Grigory Yavlinsky, lideri i Yabloko, e vetmja forcë opozitare që ende i lejohet aktiviteti politik dhe Boris Nadezhdin, ish-deputet i Dumës dhe ish-anëtar i Unionit të shpërbërë të Forcave të Djathta.
Sigurisht, nuk do të ketë konkurrencë të vërtetë. Nga ana tjetër, spekulimet janë të shumta rreth udhëzimeve reale ose të supozuara të vendosura tashmë nga Kremlini. Sipas këtyre thashethemeve, qëllimi i Carit është të arrijë tetëdhjetë për qind të votave, me një pjesëmarrje që pritet rreth kësaj shifre.
Kandidati Putin do të paraqitet si i pavarur, por do të mbështetet nga Rusia e Bashkuar, partia e tij personale dhe nga Just Russia, një formacion nominalisht i qendrës së majtë, për të cilin megjithatë pritet një rol shumë i kufizuar. Me pak fjalë pra, vijon sundimi.
Nga “Corriere Della Sera”