MENU
klinika

Vetoja e Greqisë

Xhufi: Pa u reformuar vetë BE, Shqipëria nuk do të anëtarësohet

15.12.2023 - 11:30

Akademiku Pëllumb Xhufi i ftuar në Shqip në DritareTV u pyet nga gazetari Dritan Hila nëse Greqia po e përdor Fredi Belerin për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE. Akademiku u shpreh se pa u reformuar vetë BE-ja, Shqipëria nuk do të anëtarësohet. Sipas Xhufit, me reformimin e procesit të vendimmarrjes së BE-së do të marrin fund edhe shantazhet pa moral nga Greqia kundrejt Shqipërisë.

“Pa parë frytet e SPAK-ut nuk besoj që ne të fillojmë negociatat seriozisht. Ky është kriteri kryesor që ka filluar të japë rezultate.

Askush nuk ka thënë qe ne do hyjmë në Evropë pas një apo dy vjetësh. BE-ja e ka në rend të ditës reformimin e vet, sidomos për vendimmarrjen, se ajo ka shqetësuar të gjithë. Edhe vetë kancelarin gjerman Olaf Scholz. Kancelari shpërtheu në një moment se i ka ardhur në majë të hundës që shtetet e vogla, që jetojnë me subvencione e shfrytëzojnë votën dhe veton e tyre për të promovuar interesat dhe agjendat e tyre nacionaliste.

Kjo ndodhi me Maqedoninë e Veriut ka ndodhur dhe me Shqipërinë kur do të anëtarësohej në NATO. Greqia na ka kaluar e fundit dhe me kushte, na jepni këtë që t’ju hapim votën. Kjo ndodhi me varrezat e Këlcyrës, me marrëveshjen e detit, u bënë dy lëshime për të marrë votën e Greqisë për heqjen e vizave. Të gjitha janë me kushtëzime të palejueshme.

Unë shpresoj kur të bëhet reformimi i BE-së në proceset të vendimmarrjes, të marrin fund këto shantazhe nga shtete si Greqia për të të dhënë një votë, që s’ka asnjë të drejtë morale, ta përdorë kundër një vendi fqinj për të arritur qëllimet e veta nacionaliste.”, tha akademiku.