Uragani i SPAK po shkund pluhurin në dosjet e vjetra, po “kap” biznesmenë të lidhur ngushtë me krimin duke përfituar nga politika, si edhe po thellon hetimet për çështje të tjera përvëluese ku janë të implikuar zyrtarë shumë të lartë. Sinjalet janë se fletë-arrestet e radhës pas dosjes së Kompleksit Partizani, e cila po shkund nga themelet familjen “Berisha do të jenë për koncesionet në shëndetësi, “CEZ-DIA” dhe dosja e pastrimit të parave. Gazeta ka mësuar se SPAK ka gjetur provat “përvëluese” për qeverinë “Rama”, Ilir Metën, Kryemadhin dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Koncesionet në shëndetësi, i rrezikuar Ilir Beqja
SPAK po shkon drejt përfundimit të hetimit të dosjeve për koncesionet në shëndetësi. Dosja për aferën me “check up” dhe “sterilizimin” duket se është kompletuar dhe priten procedime dhe arrestime. Personi më i rrezikuar në këtë mes është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Më 12 dhjetor, ai ka qëndruar 10 orë brenda SPAK. Ai u mor sërish në pyetje për aferën e sterilizimit dhe ka dhënë sqarime gjatë gjithë ditës. Pas daljes nga prokuroria, Beqaj ka dhënë sinjale se i ka pisk punët. “Siç e dini që nga data 20 nëntor jam një person në hetim për sterilizimin. Patëm një seance pyetjesh me OPGJ. Kryesisht për ato gjëra që jam pyetur më parë. Bashkë me avokatin kërkuam që të bëhen dhe disa veprime hetimore shtesë, për kohën kur unë nuk kam qenë ministër”, tha ai. Vetë SPAK kërkoi “detyrim paraqitje” ndaj tij pak kohë më parë, duke i “lidhur duart” gjykatës. Vetë gjyqtari Erion Bani në vendimin e tij kërkoi që të thellohen hetimet ndaj Beqajt dhe të kërkohet një masë sigurie më e rëndë. Sipas vendimit, Beqaj cilësohet si përgjegjës kryesor.
Afera “CEZ-DIA”
Gjithashtu CEZ-DIA është një dosje prioritare në mesin e të gjitha çështjeve që ka në dorë Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Këtë e konfirmoi dhe Altin Dumani pak javë më parë. Hetimet po shkojnë drejt fundit dhe në vijim pritet kërkesa për gjykatë. “Peshku i madh”që rrezikon arrestimin është ish-presidenti Ilir Meta, i cili u thirr për herë të parë më 22 shkurt të vitit 2023 brenda Prokurorisë së Posaçme dhe u pyet për tre orë. Ai dyshohet se ai është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë gjatë kohës kur kreu aktual i partisë së Lirisë ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha 2” gjatë viteve 2009-2011. Mes shumë personazheve, kryesori që është pyetur për çështjen është Kastriot Ismailaj, i vetmi i arrestuar dhe i vetmi i dënuar për akuzën e mashtrimit. Ismailaj u dënua me 11 vite burgim, ku u lirua para disa javësh pas kryerjes së dënimit. SPAK ka prova të reja dhe dyshohet se një ndër personat kyç që ka fundosur Metën është Elvis Mata. Ky i fundit ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Metës, themelues i LRI dhe ka qenë personi kyç në DIA. Mësohet se Mata ka folur dhe ka rrëfyer gjithçka, duke u kthyer në një dëshmitar të penduar. Meta së fundmi e ka sulmuar disa herë publikisht duke i bërë presion. Sipas Metës, ai është i blerë dhe ka shpifur kundër tij.
Dosja e pastrimit të parave
Drejt përfundimit të hetimeve është dhe dosja e pastrimit të parave, ku të rrezikuarit kryesorë janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre në ish-LSI. SPAK i ka futur në hetim pasuror dhe këtë e zbuloi vetë Kryemadhi. Asaj madje i kanë sekuestruar dhe një celular. Madje paniku i tyre po ndihet sa dhe në deklaratat e tyre pasurore për vitin 2022, u pa shitja e pronave dhe zbrazja e llogarive, gjithashtu dhe dhënia borxh. Prokurorët që po tmerrojnë familjen “Meta”, Petrit Vasilin me shokë janë Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, të cilët kanë thelluar hetimet për lobimin në SHBA dhe shërbimet estetike me para të pajustifikuara. Në dosjen e Metës të pastrimit të parave ka dëshmitarë dhe nisur nga retorika e ish-Presidentit, që fill pasi Arben Kraja i kërkoi KQZ-së vitin e kaluar një kopje të formularit të dekriminalizimit vitin e kaluar, Meta e cilësoi prokurorin si ‘spurdhjak partie’. Përveç dëshmitarëve mësohet se prokurorët specialë që po hetojnë dosjen e Metës kanë gjetur dhe prova të pastrimit të parave. Dyshohet se këto pasuri burojnë nga korrupsioni dhe marrja zyrtarisht si i pandehur i Ilir Metës, ndoshta dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kreut të Partisë së Lirisë është e pashmangshme.