Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë vitit 2023.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën të ditur se “viti 2023 shënoi një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve në muzeun. Nga janari deri në dhjetor ky muze u vizitua nga 76 052 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa në 2022 ky muze u vizitua nga 39 052 vizitorë, pra 95% më shumë”.
Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, kjo rritje ridimensionon gjithë punën në promovimin e trashëgimisë artistike, por dhe ruajtjen e saj nga efektet që vijnë nga kjo rritje e vizitueshmërisë.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve u shpreh se “falënderojmë të gjithë personelin për punën e palodhur e me ndjenjë përgjegjësie që çdo vizitor të ketë më të mirën në muze, por dhe për kujdesin shkencor e konservues ndaj koleksionit artistik që ai ruan”.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.