MENU
klinika

Dy qytetet që janë drejt “shuarjes”

Normat e lindshmërisë në vendin tonë pësojnë rënie drastike!

08.01.2024 - 12:20

Normat e fertilitetit (fëmijë për grua në moshë riprodhimi,) në vendin tonë kanë pësuar rënie drastike nga viti në vit, por në disa qarqe situata paraqitet më e përkeqësuar.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022 norma e fertilitetit në rang kombëtar ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015, por në qarqet e Vlorës dhe Korçës shkalla e fertilitetit ishit më pak se një fëmijë për grua në moshë riprodhimi.

Normat më të larta të Lindshmërisë janë qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Lezhës.

Në qarkun e Kukësit 100 gra në moshë riprodhimi lindën mbi 215 fëmijë në vitin 2022, në Dibër lindën 197 fëmijë.

Ndërkohë 100 gra në moshë riprodhimi në qarkun Vlorës lindën vetëm 88 fëmijë dhe në atë Korçës lindën 91 fëmijë më 2022.

Indeksi i fertilitetit është përkeqësuar shumë në rajonin e qendrës dhe Jugut dhe paraqitet pak më mirë në Veri të vendit (shiko hartën bashkëngjitur).

Edhe Tirana e cila ka një popullsi të re në moshë në rang kombëtar ka lindshmëri të ulët me më pak se 135 fëmijë për 100 gra në moshë riprodhimi.

Indeksi sintetik i fekonditetit në Shqipëri ka rënë në mënyrë të vazhdueshme: nga 1,37 fëmijë për grua në vitin 2018 në 1,21 në vitin 2022. Ndërsa në të njëjtën kohë, mosha mesatare e grave shqiptare në lindje është rritur me gati një vit, brenda një periudhe pesëvjeçare: nga 28,6 në vitin 2018 në 29,5 në vitin 2022.

E krahasuar më të dhënat e Eurostat 2021, Shqipëria shihet të ketë normat e më të ulëta të lindshmërisë në Europë dukë lënë pas vetëm Spanjën (1.19) dhe Maltën (1.13).

Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.

Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT indeksi sintetik i fertilitetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.

INSTAT raportoi se në 2022 lindshmëria ka rënë për grup-moshat 20-24 dhe 25-29, 35-39 vjeç, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2022, mosha mesatare në lindje është 29,5 vjeç. Vitin e kaluar linden 24.688 foshnja me rënie 13 për qind në raport me 2021./Monitor