Analisti Skëndër Minxhozi ka folur lidhur me pazaret individuale të deputetëve opozitarë.
Ai tha se këto lëvizje të deputetëve vijnë pas rënies së influencës së ish-kryeministrit Berisha, i cili ndodhet nën masën “arrest shtëpie”.
Ferdinand Xhaferraj lë të kuptohet se mund të votojë ligjin për amnistinë nëse mazhoranca merr parasysh një amendament, nga i cili përfiton Ervin Salianji, i dënuar për skandalin Babale.
Ai tha se Salianji, Xhaferri dhe Tabaku kanë secili dinamikat e tyre.
“Kur thua se nuk janë të Bashës këto tre emra (Salianji, Xhaferri dhe Tabaku), e kam vështirë ta besoj që janë edhe të Berishës sepse kanë secili dinamikat e tyre. Xhaferri ka qenë një ndër zërat më kritikë të Berishës kur u shpall non grata. Këtë tezën pa Berishën nuk ka zgjidhje e kanë bërë moto të përgjithshme. E bëjnë për komoditet. Por më duket se nuk janë tre deputetë të rreshtuar me Berishën.
Asnjëri nga të tre s’i kemi parë te Berisha. Tabaku është një produkt de facto i ndërkombëtarëve sepse kontrollohet nga ta. Me futjen e tre votave të tjera nga opozita, numerikisht bie pesha e Bashës sepse luante me idenë që unë jam i vetmi që brenda opozitës mund t’i jap Ramës 84. Problemi është që e shoh këtë edhe si një diçka që bie ndesh me atë që t’i thua, që Berisha nuk po del më i fuqishëm politikisht.
Këto lëvizje i shoh ikën macja, luan minjtë. Më duket se mbyllja e Berishës po fillon të japë një efekt ku nuk e ka më atë kontrollin dhe në atë masë të Berishës që i mbante afër por nuk i kishte de facto të vetët. Dhe këta persona janë të tillë, më të prirurit për t’u larguar nga Berisha dhe për t’u afruar tek qeveria sepse nuk janë më në suazën e tij. Kam përshtypjen se ndoshta këto lëvizje, tani që edhe votat kanë rëndësi, këto janë vota individuale që vijnë edhe si pasojë e rënies së influencës së doktorit për shkak të izolimit fizik dhe që nuk mund ta kontrollojë”, tha Minxhozi.