Kombëtarja shqiptare e minifutbollit ka zbritur dje në fushë për testin e parë në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian që do të mbahet këtë verë në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, event zyrtar i organizuar nga Federata Europiane e Minifutbollit.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Mandrit Dule sfiduan në miqësore Malin e Zi në Tiranë. Një ndeshje që u shërbente të dyja përfaqësueseve për të kolauduar ekipet, por që dhuroi rivalitet të lartë. Malazezët treguan se kishin diçka më tepër, duke dalë me fitoren 1-2 nga ky takim. Ndonëse ishte vetëm një test, ekipet u futën në fushë të vendosura dhe në kërkim të fitores.
Rezultati do të qëndronte në ekuilibër deri në minutën e 17-të, minutë ku Mali i Zi gjeti avantazhin pas një zbritjeje të shpejtë në sulm, teksa Radoman finalizoi saktë në afërsi të portës për golin e parë. Në fundin e pjesë së parë, miqtë do të gjenin edhe golin e dytë, sërish me një aksion shumë të bukur, teksa Pejakoviç tundi rrjetën në minutën e 24-t, me fraksionin e parë që u mbyll 0-2. Në pjesën e dytë Shqipëria kërkoi reagimin, duke e shtuar ofensivën drejt portës malazeze. Kuqezinjtë i ngushtuan shifrat në të 35-ën, falë një autogoli nga Nikola Mijoviç.
Pas golit skuadra e Mandrit Dulos mori edhe shumë iniciativë, duke krijuar edhe volum në sulm. Shqipëria ishte pa fat në minutat e fundit, teksa shtylla i mohoi golin e barazimit Aldo Branicës, ndërsa gjithçka do të mbyllej me fitoren 1-2 të malazezëve.
Pas këtij testi, Shqipëria do të marrë pjesë edhe në një turne dy ditor në Podgoricë, më datat 31 prill – 1 maj, event ku do të matë forcat me përfaqësueset më elitare të minifutbollit, siç janë Rumania (kampione bote), Azerbajxhani (kampione Europe) dhe vendësit e Malit të Zi. Kujtojmë që vetëm disa muaj më parë Shqipëria për herë të parë në histori mori pjesë edhe në Kampionatin Botëror të Minifutbollit, aktivitet që u mbajt në tetor në Al Ras Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe.