Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk kanë punuar mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve.
Në konferencën e mbajtur të hënën, Stano ka thënë se procesi i përgatitjes së dialogut duhet të trajtohet me anë të punës dhe jo të komenteve në publik.
“Fatkeqësisht, nuk është punuar shumë për zbatimin për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve. Prioriteti ynë kryesor është që ata të fillojnë të zbatojnë në mënyrën më të mirë atë për të cilën u angazhuan. Pa diskutuar hapat procedural, prioriteti më urgjent është të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është ajo që ne po fokusohemi dhe jemi të gatshëm të komentojmë sa herë të jetë e nevojshme, por për procedurat nuk shkojmë në detaje. E kemi thënë shumë herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individualë, në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet në publik çdo ditë”, ka thënë Stano.
Derisa është pyetur për takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq në një restorant me protagonistin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, Stano ka thënë se nuk i takon BE-së të komentojë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe.
“Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Mendoj se kë takoni reflekton mbi ju, qoftë ai i dyshuar për veprime kriminale, por kur aludohet për sulmin në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, presim zyrtarisht raportin përfundimtar mbi hetimin dhe atëherë do të shohim se si të veprohet tutje, deri tani këtu në Bruksel nuk kemi parë asnjë raport”, ka thënë ai.