Ka një tezë që ka qarkulluar në opinion mbi realitetin që solli dalja e Gaz Bardhit nga Partia Demokratike, përkatësisht nga strukturat e saj.
De fakto, Bardhi kishte dalë shumë herët që pas 6 marsit 2022, e sidomos gjatë zgjedhjeve të 14 majit 2023, por de jure kjo ndodhi kur Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i partisë.
Pra në verën e vitit të shkuar. Pas zgjedhjes së Bashës, një grup i madh deputetësh të PD-së, rreth 50 parlamentarë, u shkëputën nga partia zyrtare, dhe shkuan pjesë-pjesë e step by step drejt foltores së Sali Berishës.
I gjithë ky operacion nuk ka qenë i njëtrajtshëm, nuk ka pasur një institucionalizim, një zë, apo një forum, ka pasur qëndrime të ndryshme, por në thelb, të gjithë u distancuan prej Lulzim Bashës. U distancuan, jo se kishin ndodnjë ndarje principiale, strategjike apo ideologjike. Ikën, se në PD nuk i kandidonte më askush. Kjo tashmë është e qartë. Por qoftë edhe kjo, që kjo është, është një arsye. Shtylla kryesore në politikë por edhe në zhvillimin botëror është interesi. E këtu nuk se ka ndonjë devijim apo mëkat, e gjithë bota lëviz nga interesi.
Megjithatë, fakti i qënies së 50 deputetëve si njësi apo pol numerik në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka sesi të injorohet.
I gjithë debate këtu është tek fakti a u kthye ky pol numerik në një qendër politike gravitacionale jo vetëm e opozitës në vend. Të gjitha mundësitë i kishin. Por çcfarë ndodhi? Gazmend Bardhi, Gjekmarkaj e të tjerët, që kishin e kanë “spaleta” institucionale në Kuvend, nuk paraqitën as një vizion, një plan, një program, e natyrisht një organigramë të një subjekti real politik, që në Kuvend kishte shumicën e numrave brenda opozitës.
Nuk ka dyshim që ky grup vinte nga PD, siç vinte edhe Sali Berisha fund i fundit. Të gjithë u zgjodhën në listat e Partisë Demokratike më 25 prill 2021. Por subjekti juridic PD nuk i njeh më këta si pjesë të establishmentit të saj, edhe pse formalisht i ka në grup. Grupi i 45-tëve të Bardhit, që nuk është i vogël, e do ta lakmonte çdo politikan i shkathët që di të përdorë aulën e Kuvendit, u kthyen në hije të nevojave penale të Sali Berishës, gjatë periudhës së guerrilies parlamentare.
Flakadanët nisën vetëm pak ditë para hapjes së Dosjes së Klubit Partizani, e këtë e dinë në Shqipëri edhe gurët e drurët. Siç dinë atë që Gaz Bardhi, duke përdorur simbolet e vulat, por edhe votat në kryesinë e PD-së, ndaloi partinë e tij të garojë në zgjedhjet e 14 majit 2023 me kandidatë për kryetarë.
Bardhi me Gjekmarkajn, mund ta kthenin grupin e tyre në një pol apo një grup interesi politik në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëpërmjet fjalës, ideve, projekteve, debateve e replikave në Kuvend. Duke e kthyer mundësinë e seancës parlamentare, si një podium politik të lançimit të tyre politik.
Edhe e ashtuquajtura “opozitë parlamentare” e vitit 2019, ka pasur më shumë sukses se 50 deputetët e Bardhit. Jo thjesht në kthimin e Myslim Murrizit në një aktor të rëndësishëm në publik, apo edhe të Kujtim Gjuzit e profesor Jenisherit. Sepse në fund, secili jep atë që ka, e atë që mundet. Por jep diçka. Ndërsa axhenda Bardhi ishte një axhendë Berisha, në ide, aksion, koncept, e natyrisht në vendime.
E kjo nuk se ka ndonjë enigmë të madhe. Të gjithë grupi i 50 deputetëve synon të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2025 në listat e subjektit politik që do të ketë doktori me aleatin e tij Ilir Meta(nëse do ndodhë) ose vetëm.
Pra i gjithë ky grup është kthyer në një farë mënyrë në 50 hijet e doktorit. E në këtë rast, të gjitha përkimet me romanin e famshëm të E. L. James dhe filmin e Sam Taylor-Johnson, është thjeshtë rastësi…