MENU
klinika

Një vit pa humbje

Sylvinho “tremb” rivalët, Shqipëria me shifra fantastike

21.03.2024 - 12:31

Tifozët kuqezi janë sy e veshë për të parë edhe një herë në aksion djemtë e Sylvinho-s. Ndaj Kilit është dalja e tyre e parë pasi rishkruan historinë duke siguruar një biletë për në “Euro2024”. Sylvinho ka ndërtuar një ekip shumë të fortë, këtë e vërtetojnë edhe shifrat pasi si kurrë më parë në histori, Shqipëria ka afro 1 vit që nuk pëson asnjë humbje. Më saktë, Shqipëria nuk pëson një humbje që nga 27 marsi, që nga sfida kundër Polonisë, e para në kualifikueset “Euro2024”.

Kuqezinjtë vijnë në këtë miqësore pas 5 fitoreve dhe 3 barazimeve në tetë ndeshjet e fundit. Ajo që bie në sy është fakti që Sylvinho ka ndërtuar një ekip shumë të balancuar, një skuadër që në këto tetë ndeshje ka shënuar 14 gola dhe kanë pësuar vetëm 3. Sigurisht dy sfidat kundër Kilit dhe Suedisë janë dy teste miqësore, por këto dy sfida pritet t’i shërbejnë jo pak Sylvinho-s për të krijuar një ide akoma më të qartë mbi ekipin që do të marrë në Evropian.

Kili dhe Suedia janë dy rivalë me cilësi dhe me shumë tradite në evenimente të mëdha, dy prova të forta për legjionarët kuqezi.