Gjatë fjalës së tij në nisje të seancës sotme, kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi tha se mbështet kthimin në normalitet të jetës parlamentare.
Ndërsa i është përgjigjur Bashës dhe Alibeajt për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se komisioni i parë nuk do të ketë produkt përfundimtar, pasi opozita nuk ka funksionuar si komision bipartizan, por thjeshtë ka ardhur me një draft të vetin me kushte.
“Përgëzoj rikthimin në normalitet të sallës. Siç duket kanë nisur të lexojnë dhe sondazhet. Pavarësisht nga arsyeja që i ka bërë të kthehen në Kuvend, mbetet për t’u përgëzuar një jetë normale parlamentare në Shqipëri, për një vend që pret të bëhet anëtare e BE. Thirrja e zotit Basha ishte e drejtpërdrejtë, e dyta si një deklarim i kapitullimit të komisionit të reformës zgjedhore, nga ana e Aliebeajt. Sot mbaron afati i këtij komisioni dhe për fat të keq po presim produktin e këtij komisioni, por duket nga deklarimet e zotit Alibeaj për mënyrën se si e trajtoi. Ai tha produkti i këtij komisioni do të ishte dokumenti që kemi dorëzuar në Kuvend. Çfarë komisioni mund të ngrihet në këtë premisë. Pakica vjen me një draft, e dorëzon dhe thotë; këto janë kushtet tona, po të doni merrni, po të doni, lërini. Aty besoj ka rekomandime që nuk i takojnë vetëm parlamentit shqiptar. Ne jemi pro dhe kemi bërë gati dokumentin që emigrantët të votojnë. Ne do të presim përfundimet e këtij komisioni bipartizan”, tha Çuçi.