SPAK ka nisur hetimet për kreun e bashkisë së Rrogozhinës Edison Memolla, pas një kallëzimi të PD-së ndaj tij për korrupsion.
Hetimet nisën pas kallëzimit të Partisë Demokratike, ndërsa kryebashkiaku po hetohet për veprën penale të korrupsionit. Hetimet po përqendrohen tek dëmshpërblimet për banesat e dëmtuara, nga të cilat kanë përfituar njerëz të afërt.
SPAK-ut i është vënë në dispozicion i gjithë materiali nga homologët italian. Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare, janë vënë në ndjekje të një transferte të dyshimtë prej 1 milion eurosh, që dyshohet se i përket pikërisht lidhjeve të afërta të kryebashkiakut Memolla.
Memolla mori postin e kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës në 2022 duke siguruar një fitore bindëse me mbi 60 përqind të votave. Ai ishte emri i propozuar nga socialistët pas vdekjes së ish-kryetarit Haxhi Memolla.
Memolla është marrë i pandehur nga SPAK edhe në vitin 2023 për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Hetimet e SPAK ndaj Memollës nisën pas një audiopërgjimi. Në audio dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, teksa ndikon tek elektriçisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor. E gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.
SPAK thotë se hetimet gjithashtu konfirmuan se Memolla komunikonte me shtetasin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.