Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, tha se ka mungesë të theksuar të punonjësve të kualifikuar. Sipas tij, kjo ka filluar të ndihet edhe nga sipërmarrja, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë kapital njerëzor të kualifikuar. Rama u shpreh se kjo i ka detyruar që të rrisin ndjeshëm edhe pagat.
Ai tha se industria e turizmit, po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar.
“Nevoja për krah të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte, e cila ka nisur dhe intensiteti i të cilës po rritet në të gjithë Europën. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies dramatike demografike të Europës, e cila na vë ne dhe vende si ne këtu në Europë përballë një sfide të dyfishtë, rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu pune gjithmonë e më kërkues për krah të kualifikuar dhe nga ana tjetër përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të pasura dhe mëdha të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar pune.
Sot kushtet për të pasur një debat të hapur për arsimin profesional dhe për të krijuar një sens të përbashkët vlerësimi të domosdoshmërisë së mbështetjes së kualifikimit profesional të të rinjve janë shumë të favorshme për faktin që sipërmarrja ka filluar të ndjejë lagështirën dhe të shoh me sytë e vet në përditshmëri kundërshtinë mes ambicies, nevojës dhe mundësive për t’u rritur dhe nga ana tjetër mungesës alarmante të kapaciteteve njerëzore.
Kjo ka filluar të reflektohet në mënyrë të ndjeshme në rritjen e pagave që është A, pa të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin se kapitali njerëzor nuk është i fundit siç është trajtuar për vite të tëra, por është i pari. Një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie, pro domosdoshmërie. Në këto kushte është mundësia për të krijuar një dialog me sipërmarrjen, për nevojën e kontributit të kompanive në rritjen e kapacitet të shtetit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë. Sot jemi para një fakti kokëfortë në turizëm, që është një industri e re në Shqipëri, në kuptimin e krijimit të një ekosistemi i cili po rrit me shpejtësi ambicien, mundësitë e investimeve”, tha kryeministri.
Rama tha se tregu nuk duhet të krijojë më vende të lira që mund të mbeten bosh, për shkak të mungesës së aftësive në punë të caktuar. Ai shtoi se ka mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke zotëruar aftësitë.
“Problemin e kanë te kapitali njerëzor, kjo shkon në kundërshti me faktin që s’kemi mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, s’kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe të kenë një rrugë të sigurt, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë.
Tregu të mos krijojë më vende të lira pune që mund të mbetet bosh, për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuar. Sot jemi për një fakti shumë kokëfortë në industrinë e turizmit e cila është e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi që po rrit me shpejtësi ambicien, mundësitë e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi i Shqipërisë në sytë e botës si një destinacion për t’u vizituar. Nuk kemi mungesë njerëzish por mungesë kualifikimi, mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke zotëruar aftësitë”, u shpreh ai.