MENU
klinika

Zhgënjen Leclerc

Dominim total i Verstappen, kampioni i botës bën “poker” në “pole position”

06.04.2024 - 17:19

Red Bull rikthehet të dominojë sërish dhe e bën këtë në provat zyrtare të Suzukës në Japoni. Makina e Max Verstappen fluturonte sërish, teksa kampioni në fuqi i botës siguroi “pole position”-in e katërt sezonal në po kaq gara, duke vendosur kohën 1 minutë, 28 sekonda dhe 197 të mijtat.

Kohën e dytë më të shpejtë e vendosi makina tjetër Red Bull, ajo e drejtuar nga Sergio Perez, me 66 të mijtat më ngadalë, me këtë të fundit që do të niset në radhën e parë në krah të Verstappen.

Koha e tretë më e mirë u vendos nga Lando Norris me Mercedesin e tij, ndërsa i katërti i rendit Carlos Sainz i Ferrarit, i cili fitoi edhe garën e dy javëve më parë në Australi.

Zhgënjyese performanca e makinës tjetër të Ferrarit, asaj të Charles Leclerc, i cili vendosi kohën e 8 më të mirë, teksa pas provave zyrtare pranoi se nuk mund të bënte më shumë.

Rezultate jo optimiste këto për Ferrarin, që pasi skuqi podiumin me vendin e parë dhe të dytë në Australi, do të hyjë në garën e Suzukës me misionin që të ngjitë në podium një pilot dhe më shumë gjasa ka Sainz, që do të duhet të duelojë me Norris.

Më i komplikuar misioni për Leclerc, që do të ketë para vetes pilotë aspak komodë për t’u parakaluar si Alonso e Piastri dhe podiumi duket një mision i pamundur pa nisur ende gara.