MENU
klinika

Deklarata

Bushati, mesazh për shqiptarët: Viti 2018…

30.12.2018 - 19:21

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka bërë bilancin e vitit 2018, që u mbyll me shkarkimin e tij nga detyra.

Bushati dha edhe një mesazh për shqiptarët përpara se t’i uronte Vitin e Ri.

” Viti 2018 e konsolidoi kontributin e Shqipërisë për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajon. Për herë të parë vendi ynë merr kryesimin e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare me shtrirje nga Vankuveri në Vladivostok, siç është OSBE. Me drejtimin e kësaj organizate Shqipëria hyn në një fazë vendimtare e të pakthyeshme, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane”, tha ai. 

Postimi i plotë i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati:

Fundviti është moment reflektimi dhe vlerësimi për sa kemi arritur, por dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë në vijim. Po lëmë pas një vit me sfida në reformat shtetkonsoliduese. Këto reforma, si çdo ndryshim rrënjësor e transformues kanë hasur në rezistencë e dyshim, por këmbëngulja dhe vullneti i shoqërisë sonë për të ecur përpara mbetet i palëkundur.

Për shkak të këtij vullneti, institucionet zbatuese të reformës në drejtësi nisën punën e tyre; procesi voluminoz i analizës së përputhshmërisë së legjislacionit tonë me atë evropian (screening) dita-ditës po nxjerr në pah nevojën për një reformim molekular të mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe jetës publike, teksa na përgatit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE në 2019.

Viti 2018 e konsolidoi kontributin e Shqipërisë për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajon. Për herë të parë vendi ynë merr kryesimin e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare me shtrirje nga Vankuveri në Vladivostok, siç është OSBE. Me drejtimin e kësaj organizate Shqipëria hyn në një fazë vendimtare e të pakthyeshme, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane.

Festat e fundvitit janë një mundësi e shkëlqyer edhe për të qëndruar më shumë pranë njëri-tjetrit duke reflektuar për çka lëmë pas, por edhe për sfidat e të ardhmes. Ne shqiptarët duhet të flasim më shumë me njëri-tjetrin, e të mësojmë nga njëri-tjetri. Por më e rëndësishmja është që ne të dëgjojmë njëri-tjetrin.

Shqiptarët, kudo ku ndodhen në rajon, edhe për gjatë ‘stuhive’ të 2018 treguan se ata mbeten faktori më i qëndrueshëm pro-Euro Atlantik. Duke refuzuar në të njëjtën kohë që të vendosin si kolateral arritjet historike që prej rënies së perdes së hekurt.

Ky vokacion, sa natyror aq edhe pragmatist, duhet të përbëjë nxitjen tonë të fortë e kompasin orientues për të punuar së bashku për konsolidimin e reformave; për jetësimin e të vetmit projekt realist, atij të bashkimit në familjen e përbashkët europiane; për krijimin e një perspektive të qëndrueshme arsimimi dhe punësimi, para së gjithash për të rinjtë tanë; për forcimin e demokracisë dhe shoqërisë së shanseve të barabarta dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ato jetojnë.

Dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë një vit të mbarë e të mbushur me arritje dhe momente gëzimi.

I uroj shërbimit të jashtëm një vit të suksesshëm përpara.

Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë.