Pavarësisht njoftimeve madhështore në prag të vizitës së tij në Paris, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka marrë një “dush të ftohtë” në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron, shkruan media serbe “Nova.rs”. Rasti i Banjskës dhe Milan Radoiçiqit “e përshëndeti” menjëherë Vuçiçin, sepse Macron tha se pret që të gjithë ata që morën pjesë në këtë sulm të armatosur të ndiqen penalisht. Pavarësisht se Serbia e refuzon me këmbëngulje këtë dhe organizatori kryesor i aksionit në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë, Milan Radoiçiç ende është i lirë. Ndonëse kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga Banjska dhe konflikti i armatosur në veri të Kosovës, opinioni ndërkombëtar nuk e ka harruar. “E ndërsa presidenti i Serbisë dëshiron që Banjska të bëhet vetëm një e kaluar e shëmtuar që nuk do t’i rëndojë marrëdhëniet e Serbisë me botën, “skeleti” i atij konflikti të armatosur bie nga dollapi herë pas here”, shkruan media serbe.
“Dush i ftohë” në Paris
Në ceremoninë dhe fjalimin e përbashkët të Vuçiçit dhe Macronit në Paris, presidenti francez thuajse në hyrje të fjalimit deklaroi se pret që të gjithë ata që kanë lidhje me Banjskën të ndiqen penalisht. “Në anën tjetër, duhet t’i tejkalojmë tensionet që u ngritën si rezultat i vendimeve të autoriteteve të Kosovës në lidhje me komunat me popullatë serbe, ne i dimë kushtet e atyre marrëveshjeve”, tha shkurt Macron. Duke qenë se Macron është në krye të vendit të dytë më të fuqishëm në BE, qëndrimi ndaj konflikteve të armatosura ka peshë të madhe, siç thekson “Nova.rs”. Priten përgjigjet, hetimet janë në vazhdim e sipër, ndërsa Milan Radoiçiçit i mungon vetëm vila në veri të Kosovës. Siç shkruan media serbe, ai lëviz lirshëm dhe kamerat e kanë regjistruar në Serbi, madje duke rrahur njerëz.
Paralajmërimi i ri
Analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiç thekson se deklarata e Macron është dëshmi dhe konfirmim i rëndësisë që Franca i kushton incidentit në veri të Kosovës. “Ishte e qartë për të gjithë të përfshirët në politikë se Banjska do të regjistrohej si një incident i rëndë me potencial zhvillimi për sigurinë e rajonit. Ishte krejt e logjikshme që të mos thuhej ‘ad acta’, siç dëgjojmë nga përkujtimet e shpeshta të Milan Radoiçiçit. Ky është një paralajmërim i ri dhe pritej që të përmendej në biseda private, por fakti që Macron e përdori për ta përmendur në konferencën për shtyp është vetëm një konfirmim se sa rëndësi i kushtojnë atij incidenti si Franca ashtu edhe BE-ja”, shpjegon Jakshiç për “Nova.rs”.
Rasti i Radoiçiç
“Ai insistoi që të përmbushen dispozitat e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me atë që është thënë, që është se Macron do të ndihmojë në mbajtjen e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Agjendat janë krejt të ndryshme”, thotë Jakshiç. Bëhet e ditur se në Serbi, ku ai banon rregullisht, organet kompetente nuk duan të zhvillojnë procedura gjyqësore ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Prokuroria po e procedon zyrtarisht si organizator i konfliktit të armatosur në Banjskë të Kosovës, por rasti “ka rënë” në ujë. Gjatë asaj kohe “Komandanti Milan”, siç e thërrasin shokët, rreh njerëzit, prehet në hotelin e tij në Kopaonik dhe gëzon lirinë që institucionet nuk duan t’ia mohojnë, edhe pse ia bënë studentëve protestues.
Kërkesat e BE-së
“Presidenti na siguron se institucionet po bëjnë punën e tyre dhe se hetimi është duke u përgatitur plotësisht. Të huajt prisnin që hetimi të përparonte, por tani për tani rasti ‘Banjska’, në të cilin emri kryesor është Radoiçiç, është ulur në një nga sirtarët e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, shkruan “Nova.rs”, duke shtuar se shumë janë në pritje të hapjes së sirtarit dhe dyshimet janë të shumta. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-të besojnë se ka lidhje financiare dhe organizative mes organizatorëve të çështjes dhe Serbisë. “Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se konflikti mund të kishte çuar në një situatë të rrezikshme dhe e gjithë BE-ja pret një reagim”, përfundon “Nova.rs”.