Seanca e para dy ditëve Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), duket se nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një poshtërim publik i Serbisë, e përfaqësuar në mënyrën më të keqe nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Që nga kritikat e Perëndimit, tek përplasjet e ashpra me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, duket se e gjeti veten si “peshku pa ujë”, në një mbledhje ku të vetmet palë që nuk e sulmonin ishin Rusia dhe Kina. Megjithatë, nuk kanë munguar incidentet apo skandalet diplomatike, të cilat kanë bërë xhiron e rrjetit, në Serbi dhe jo vetëm. Mediat e pavarura serbe madje kanë shfrytëzuar rastin për të bërë ironi me qeverinë, duke shkruar me humor se Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij qartazi nuk u përballën mirë në një mjedis me të cilin ata nuk janë mësuar. “Janë Kombet e Bashkuara, jo Pink apo Happy TV”, theksuan ata, referuar kanaleve serbe.
Skandali diplomatik
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është përballur me kritika të ashpra pas një veprimi të cilësuar gjerësisht si “skandaloz” gjatë punimeve të seancës së Këshillit të Sigurimit në OKB. Vuçiç tha të martën se Serbia ra në kurthin e ngritur nga SHBA, Zvicra dhe Sllovenia. “Kur u vonua seanca e Këshillit të Sigurimit, pyeta se për çfarë bëhej fjalë, por më pas kuptuam se për këtë ishin marrë vesh amerikanët, sllovenët dhe zviceranët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër”, tha Vuçiç. “Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një deklaratë në punimet e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes dy popujve tanë”, u shpreh kryeministri slloven Robert Golob, duke komentuar një deklaratë të Vuçiçit. Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ftoi të ngarkuarin me punë në ambasadën e Serbisë në Lubjanë pas deklaratës së Vuçiç kundër Sllovenisë pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, i quajti fyese dhe të papranueshme fjalët e Vuçiç, ndaj dhe vendosën të ftojnë të ngarkuarin me punë të Serbisë për t’i mbrojtur ato.“Ne kërkojmë shpjegim, falje, nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore”, tha ajo duke i quajtur të pavërteta fjalët e tij.
Incidentet në OKB
Sakaq, veç Vuçiçit, paralajmërim për sjelljen gjatë seancës ka marrë edhe këshilltarja e tij Suzana Vasiljeviç. Siç thuhet, ajo ka marrë një paralajmërim nga personat e protokollit për regjistrim në telefonin e saj, sepse e ka filmuar prezantimin e Vuçiçit me celular, transmeton “Nova.rs”. Teksa ajo po mbante në mënyrë të pahijshme telefonin e saj nga rreshti i dytë që regjistronte fjalimin e Vuçiqit, Suzana Vasiljeviç iu afrua nga një burrë që supozohej se ishte nga protokolli dhe e paralajmëroi se regjistrimi nuk lejohej.Kujtojmë se në të njëjtën seancë Vuçiq ka marrë paralajmërim edhe nga kryetarja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Vanessa Fraser. Ajo përmendi se folësit kanë nga tre minuta për të prezantuar, për të cilën është rënë dakord më parë.
Gruaja që “bëri zap” Vuçiçin
Por, Vuçiç nuk ra dakord dhe debati përfundoi me Fraser që përplasi grushtin në tavolinë dhe “heshti” presidentin serb. Përplasja verbale ka ndodhur kur kryesuesi i seancës ia ka dhënë fjalën presidentit Aleksandër Vuçiç dhe ka përmendur se ai kishte tre minuta për prezantimin e tij, siç ishte marrë vesh më parë. Vuçiq, në vend të prezantimit të tij, tha se nuk ishte dakorduar dhe shtoi: “Por kjo nuk ka rëndësi”, për të cilën Frazer u përgjigj se “ishte dakord”. Vanessa Fraser është Përfaqësuesja e Përhershme e Maltës në Kombet e Bashkuara dhe një diplomate karriere nga vendi. Fraser ishte ambasadore e Maltës në Bruksel, Belgjikë, Luksemburg dhe NATO. Gjatë vitit 2013, ajo u transferua në Itali dhe u akreditua në San Marino dhe organet e Kombeve të Bashkuara me seli në Romë. Në Kombet e Bashkuara, ajo u zgjodh në 2021 si presidente e Komitetit të Dytë të OKB-së, Komitetit Ekonomik dhe Financiar. Ajo është gruaja e parë që mban postin e Përfaqësueses së Përhershme të Maltës.