Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka publikuar një shkrim rreth vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zhvillimeve rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në artikullin e FAZ-it thuhet se mbështetja tek Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk është aq qartë sa në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku edhe u rekomandua pranimi.
Sipas gazetës së njohur gjermane, kryeministri Kurti kishte thënë se “Asociacioni mund të themelohet nga serbët sepse Qeveria s’mund ta imponojë atë pasi do te ishte shkelje e parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës”.
Më tej në këtë artikull thuhet se Bashkimi Evropian ka propozuar draft-statut për Asociacionin, por FAZ përmend se QUINT (pesë vendet perëndimore) po ashtu e kanë propozuar një draft-statut.
Frankfurter Allgemeine Zeitung flet edhe për procesin e votimit në veri, ku theksohet se serbët kanë bërë kurthe për të bllokuar Asociacionin dhe integrimin e Kosovës në KiE.
”Beogradi i ndalon politikanët serbë të ndërmarrin iniciativa premtuese për të krijuar një asociacion të komunave ose të mbështesin propozime që janë në përputhje me Këshillin e Evropës, ndërsa në të njëjtën kohë ankohen me zë të lartë për mungesën e atij asociacioni. Në Beograd është krijuar një justifikim i përsosur për diplomacinë serbe për të penguar integrimin e Kosovës në Perëndim. Me dorën e majtë Kosovës po i vihen kushte, me të djathtën po sigurohet që ato të mos plotësohen”, shkruan gazeta gjermane.
FAZ Shkruan se politikanë të Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD) sugjeruan që të evitohet kurthi i Vuçiçit.
“Në mënyrë që të plotësohet kërkesa e QUINT-it, në Berlin pati gjithashtu diskutime nëse propozimi për një Asociacion të Komunave serbe mund t’i dorëzohej tani për shqyrtim juristëve kushtetues të Këshillit të Evropës. Kjo mund të jetë një rrugëdalje nga kurthi serb, sipas politikanëve të SPD-së në Berlin”.
QUINT ka kërkuar që draft-statuti i Asociacionit te dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese si një hap i Qeverisë Kurti për themelimin e Asociacionit që do t’i bindte vendet anëtare ta japin votën e tyre pro Kosovës për anëtarësim në KiE.