Zëdhënësi Matthew Miller, ka thënë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, se ai nuk është shkarkuar nga detyra, por thjesht duhet të ndryshojë post, pasi mandatit të tij po i vjen fundi.
Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, u raportua se ishte shkarkuar nga detyra e tij si i dërguar i posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky pretendim është bërë nga revista “THE FRONTLINER”, e cila pretendon se Escobar është shkarkuar pas lajmeve të publikuara nga kjo media se Escobar ishte në konflikt interesi ndërsa ka hedhur dyshime mbi integritetin e tij diplomatik.
Në lajmin e publikuar nga media më 22 marsit 2024, pretendohej se familja e Escobar kishte lidhje financiare me organet qeveritare serbe, duke vendosur në dyshim neutralitetin e tij në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovë-Serbi.
Por ky lajm se Escobar është shkarkuar është mohuar nga DASH. Zëdhënësi Matthew Miller, ka thënë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, se ai nuk është shkarkuar nga detyra, por thjesht duhet të ndryshojë post, pasi mandatit të tij po i vjen fundi.
“Të gjithë diplomatët e karrierës jashtë vendit ndërrohen çdo një deri në katër vjet, që është një praktikë e rregullt. Si oficer diplomatik, Escobar ka qenë në pozicionin e tij aktual për tre vjet dhe është planifikuar të kalojë në detyrën e tij të radhës në javët në vijim. Deri sa tranzicioni të ndodhë, ai do të qëndrojë në pozitën e zëvendësndihmës sekretarit në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH për Tanjug.
Escobar u emërua në detyrë në vitin 2021 dhe e njeh shumë mirë situatën në Ballkan. Ai flet disa gjuhë, përfshirë edhe serbishten, dhe që nga viti 1998 ai ka mbajtur pozicione të njëpasnjëshme në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.