MENU
klinika

Mërgim Mavraj

“Në Greqi më përbaltën, iki në Gjermani”

03.01.2019 - 12:42

Mërgim Mavraj është larguar nga Greqia pas vetëm disa muajsh dhe e mbyll me Aris të Selanikut. Në mbrëmje do të hidhet firma mbi kontratën e re me Ingolstad të Bundesliga 2, që gjithçka të jetë gati më pas për fazën përgatitore në Spanjë.

Një eksperiencë e hidhur ajo në Selanik, të cilën mbrojtësi me origjinë nga Istogu e ka rrëfyer për “Telesport”, duke zbuluar edhe motivin e “divorcit” të parakohshëm me verdhezinjtë.

“Anulova kontratën me Aris dhe do të firmos me skuadrën e Ingolstad, në Gjermani. Do të bashkohem me klubin në Spanjë më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndjerë veten shumë të mosrespektuar.

U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme. 

mavraj
mavraj

Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi tek unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën.

Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar.

Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojnë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve.

Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë se sa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. U mërzita shumë që emri im u bë si një lodër edhe në media…Këtu lindi ideja për t’u larguar dhe erdhi oferta nga Gjermania”është shprehur Mavraj.

mavraj mergim
mavraj mergim

Në fund, Mavraj ka edhe një mesazh për këtë divorc me Aris Selanikun: “Nuk kam dëshirë të them asnjë fjalë të keqe për Aris, tifozët dhe futbollin grek. Por, vlerat e mia personale dhe si lojtar nuk lejoj që të m’i përbaltë askush në botë”.

Mavraj do të firmosë me Ingolstadt për 1 vit e gjysmë, por me opsion për edhe një tjetër vit. Pra, një kontratë 2 vjet e gjysmë “e maskuar”. Sa i përket vlerës së transferimit, ashtu siç ishte edhe në klauzolë, në momentin e firmës së Mavrajt me Aris, Ingolstadt paguan 300 mijë euro për të siguruar mbrojtësin kuqezi. (Telesport)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Debutoi në derbin e Selanikut

Grekët për Mavrajn: Nga tradhëtar, në hero