Ka vite që stuhitë e pluhurit që sjellin grimca të vogla nga Saharaja në Evropë, janë bërë të zakonshme. Por si krijohen ato? Si lëvizin? Dhe si mund të mbrohesh prej tyre?
Nuk është më një ngjarje e rrallë që stuhitë e pluhurit të mbërrijnë nga Saharaja në Evropë dhe kjo gjë ndodh prej kohësh. Këtë pranverë pluhuri i Saharasë mbërriti edhe në vendin tonë dhe pritet që këtë fundjavë të rikthehet sërish.
Si krijohet në Sahara një stuhi pluhuri?
Stuhitë e pluhuri krijohen kur Saharaja ka erëra të forta në kushte të thata. Shkretëtira e Saharasë shtrihet në një pjesë të madhe të Afrikës së Veriut. Rëra e shkretëtirës përbëhet nga grimca të madhësive të ndryshme. Disa grimca janë të mëdha dhe të rënda, këto merren me vete nga era. Por nuk janë këto ato që mbërrijnë në Evropë duke kaluar nëpër Detin Mesdhe.
Kur këto grimca të mëdha rëre bien në tokë, ato godasin grumbujt e rërës e cila shpërbëhet në pjesëza shumë të vogla pluhuri. Dhe pikërisht këto pjesëza të vogla përhapen në distanca të gjata, sepse janë shumë të vogla dhe të lehta.
Këto stuhi pluhuri krijohen kur kushtet e motit janë shumë të thata. Përndryshe grimcat e rërës njomen dhe rëndohen, kështu që nuk mund të fluturojnë në distanca të gjata. Stuhitë e rërës shfaqen më shumë në zonat që kanë pak bimësi, sepse bimësia do ta pengonte erën dhe pluhuri do qëndronte tek bimët.
Pse sjellin këto erëra pluhur në Evropë?
Stuhitë e pluhurit shfaqen rregullisht në Shkretëtirën e Saharasë. Por që të bëjnë mijëra kilometra në drejtim të veriut, duhet që kushtet e motit të jenë të tilla që të krijojnë erëra të forta. Vetëm atëherë stuhia përshkon distanca të gjata.
Në shumicën e rasteve pluhuri i Saharasë transportohet nga një zonë e presionit të ulët në Detin Mesdhe dhe prej andej në Evropë. Këto sisteme janë shumë të forta dhe krijojnë erëra të forta që lëvizin në drejtimin e kundërt të akrepave të orës. Tipike është që ato shfaqen në pranverë. Ndodh rrallë, por edhe kushte moti me presion të lartë mund të shkaktojnë ngjarje të tilla.
Pjesëzat e pluhurit që përfundojnë në Evropë, mund të qëndrojnë në ajër gjatë, sepse janë më të vogla se kokrrat e rërës, të cilat bien shpejt në tokë. Ajo që vjen në Evropë është stuhi pluhuri, jo stuhi rëre.
A përbëjnë stuhitë e pluhurit rrezik?
Kur analizohen këto stuhi pluhuri kërkohet të kuptohet fenomeni dhe të mësohet çfarë rëndësie ka për shoqërinë dhe klimën. Pluhuri nuk është gjithnjë diçka e keqe: Ai shërben për shembull si një lloj ushqimi për pyjet dhe oqeanet, sepse përmban hekur dhe fosfor.
Sasia e pluhurit në Tokë është rritur në krahasim me periudhën e para industrializimit. Kjo ka kryesisht të bëjë me kultivimin e tokës nga njeriu, por edhe me ndryshimin e klimës.
Për ta bërë të qartë si funksionon kjo duhet imagjinuar një copë toke me kore. Kur shkel njeriu mbi të ose kur kalon një makinë, atëherë korja shpërbëhet në shumë pjesë të vogla dhe në pluhur. Dhe të gjithë këto copëza të vogla merren lehtë nga era.
Në lidhje me ndryshimin e klimës merren si shembull burimet ujore, të cilat thahen prej thatësirës. Kur një liqen thahet, pjesët sedimentare të mbetura në fund të liqenit janë shumë të shpërbëshme dhe mund të merren shumë lehtë nga ajri.
Aktualisht shkencëtarët nuk janë të sigurt nëse ndryshimi i klimës shkakton më shumë apo më pak erëra në Tokë. Po ashtu e vështirë është të parashikosh të ardhmen e stuhive të pluhurit.
Si mund të ruhesh nga stuhia e pluhurit?
Kur stuhia e pluhurit mbërrin në Evropë, duhen ndjekur të njëjtat këshilla që ndiqen kur ditët kanë ajër me cilësi shumë të keqe. Pluhuri përbën rrezik për rrugët e frymëmarrjes. Prandaj duhen mbajtur maskat dhe duhet hequr dorë nga aktivitetet sportive jashtë. Kjo vlen sidomos për njerëzit me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes.