Pakkush mund të mëdyshojë për aspektin e kuruar estetik, që kryeministri shqiptar Rama, e ka rrethuar me sukses pamjen e jashtme të drejtimit të qeverisjes së tij. E kuruar imtësisht, shpesh me befasi dhe e përshtatshme jo vetëm për natyrat e organizimit, ajo ka marrë kurdoherë vlerësime. Gjithçka për të kulmuar idetë e tij dhe për t’u kthyer në vlerat e show me synimin qartësinë dhe pushtetin për çka do që e rrethon. Kjo vlen që nga samitet e Tiranës dhe risitë në to, por edhe pritjen e zyrtarëve të ndryshëm, shtuar me aktivitetet partiake dhe ato zgjedhore të formacionit të vet. Në fund kuptohet se kulmon gjithnjë ai: krijues, regjisor, organizator dhe zbatues. Kjo natyrë e tij mori peshë dhe në takimin e fundit të Greqisë me emigrantët, qysh nga përkulja e tij nderuese dhe pastaj fjala e gjatë, ku u ndërthurën faktet historike dhe politike të marrëdhënieve me Greqinë, shndërrimi krenar i shqiptarëve, problematikat tona, Ligji i Luftës, cikja e problemit të Çamëve (pa i përmendur fare), miqësia, fëmijët dhe metamorfozën e qytetarëve shqiptarë e të tjera. Ashtu si nuk mundën të artikuloheshin edhe çështje të tjera, për të cilat publiku ishte bajagi i interesuar. Dalldia e flamujve kuqezi sfumoi çdo gjë: nga mendimi i ndonjë emigranti (kuptohet organizatorët “s’u kishte vajtur mendja”), që të tregonte dhe anën tjetër por edhe mungesën e flamujve grekë. Pa u zgjatur sepse shumë janë shprehur, atje ku artikulohet shqip dhe për të drejtat tona, duhet të jemi solidar dhe Rama diti të kapte me të drejtë këtë moment. Urojmë që precedentin, që krijoi kryeministri , të tjerët ta maturojnë dhe më këndshëm por qoftë edhe pa nevojën e autobusëve…dhe mbi të gjitha me klasin e duhur.
Në këtë pjesë kaq pak të zhvilluar të kontinentit evropian, siç është Ballkani, Perëndimit i është dashur të tregojë dhe të përcjellë prototipe juridike, administrative dhe politike, por shpesh përplasur me pretendimet nacionaliste dhe irredentiste të fqinjëve për njëri-tjetrin. Greqia ia ka bërë jo pak herë të vështirë jetën vendit tonë, ashtu si ka qenë një valvul ku është shkarkuar një masë e madhe e varfërisë sonë në vitet ‘90. Pas rënies së sistemit socialist, Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera e Ballkanit, u mundua të krijonte identikitin e vet, mbështetur në parimet ndërkombëtare të demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe tregjeve të lira, brenda detyrimeve politike dhe ekonomike ofruar nga strukturat e njohura të BE-së, OSBE-së, NATO-s dhe OKB-së. Ndërsa ish-Jugosllavia u shkërmoq dhe u rindërtua e ndarë, Shqipëria ka pasur një përparim të jashtëzakonshëm, megjithëse në vitin 1997 gati shkoi në luftë civile!!!
Po pse vazhdon përdoret nacionalizmi atëherë, pikërisht ajo që desh e dërrmoi Ballkanin? Pse Rama u mbështet sërish tek kjo kategori ose derivatet e saj? Duket se është e vetmja komordare që të nxjerr në breg dhe të nderuar, ndërkohë që retorika nacionaliste midis elitave politike mbetet tipar i politikës në rajon. Dhe, Rama nuk i është shmangur në Greqi, duke ngazëllyer të pranishmit dhe duke lënë përballë si objekt Grekët. A e ka frymën e duhur ushqimi i nacionalizmit në Shqipëri? Vite më parë, ekzistonin lëvizje dhe platforma për “Shqipërinë natyrale” e më gjerë, të cilat nuk ndezën dhe, sidomos u shfrynë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sot, këtë domen, kuptohet të moderuar dhe sidomos kur duhet të shmanget vëmendja nga problematikat jo të pakta në vend, e merr shpesh kryeministri i vendit, Rama. Dhe, nacionalizmi e vajis shumë entuziazmin kallp, sepse në thelb problemet të lëbyrin para çdo gjëje. Jo vetëm të pranishmit në sallë, por shumica e atyre që janë në Greqi nuk votojnë dot atje dhe as në Shqipëri. Me pak fjalë, janë në një qerthull, ku nuk përfaqësohen, pikërisht nga një politikë, ku Rama është protagonist për gati 12 vite, po për këtë s’pati artikulim. Në ndërkohë, problemi i pasaportave dhe leje-qëndrimit nuk është zgjidhur, kurse po bëhet gati një dekadë që marrëdhëniet kanë mbetur në vend numëro. I lodhshëm është pak glorifikimi, që po i bëhet kultit të Ramës dhe që ai po e ushqen jo vetëm indirekt. Kuptohet se Shqipëria është larg asaj që konceptohet për nacionalizmin patologjik, por rikthimi në çfarëdo regjistri tregon problematika jo të vogla: Atë që shoqëritë tona, janë ende me probleme.