Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend.
Nga samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Kotorr, Vucic theksoi se Kosova nuk mund të bëjë një draft-statut të tillë, pa pajtimin e shtetit fqinj.
“Ky është një tjetër truk që Albin Kurti dhe ndihmësit e tij, përfshirë Gerald Knaus dhe të gjithë lobistët e tjerë, po e bëjnë së bashku. Ata vetë thonë se tekstin e tyre do ta dorëzojnë deri në fund të majit. Kush jeni ju ta dorëzoni këtë draft-statut? Marrëveshja e Brukselit është mjaft e qartë, se ai duhet të bëhet me pajtimin e Serbisë, apo nëse ne pajtohemi, duhet të jetë një tekst i dorëzuar nga BE-ja.”
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se po ndodh përpjekje për mashtrim, dhe se letra u dërgua në çastin e fundit, para takimit të Këshillit të Ministrave të KiE.
“Është një mashtrim i pastër, përmes të cilit Kurti dëshiron ta shmangë detyrimin e tij nga dialogu.”
Petkoviç tha se statuti përfundimtar i Asociacionit “negociohet dhe aprovohet” në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, në mënyrë që të mos jetë “veprim i njëanshëm i Prishtinës”.