MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Pse i mbajmë bastardët, si “të ndershëm”?!

28.05.2024 - 18:33

Përgjigjja e parë është se shpesh nuk i njohim të korruptuarit, kurse në përgjithësi korrupsioni në politikë nuk perceptohet lehtë, pasi politikanët dinë ta fashisin, ta relativizojnë e ndërkohë që jo shumë individë kanë përvoja personale me këtë fenomen. Aman, korrupsioni ndihet. Dhe, ndjenja disa herë i paraprin dijes për gjithçka. Shumë shqiptarë shikojnë zyrtarë e bashkëvendas që pasurohen në mënyrë galopante dhe ndryshojnë statuset sociale dhe ekonomike brenda pak vitesh! Institucionet deri më tani, që duhet ta frenonin, kanë ndihmuar fare pak, kurse politika ka ditur ta mbrojë këtë fenomen.

Një çerek shekulli më parë, pikërisht në vitin 1999, Banka Botërore publikoi një analizë krahasuese të korrupsionit në të gjitha rajonet kryesore të botës për periudhën 1996–99 (Kaufmann et al., 1999a,b). Ajo që tronditi në gjetjet s’ishte se nuk dolën pritshmëritë normale, porse rajoni më i keq mbi dhé për korrupsion nuk perceptohej të ishte as Afrika, as Azia Jugore apo Lindore, as Amerika Latine, por Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (Vendet, që lindën pas shpërbërjes së BRSS). E, më tej, ndër pjesët më të korruptuara të botës, ishte ajo që në kohën e Perdes së Hekurt identifikohej thjesht si Evropa Lindore.

Pothuaj 25 vjet më vonë, situata jo vetëm nuk është përmirësuar në rajon, por në rastin e Shqipërisë, situata lidhur me korrupsionin është keqësuar jashtëzakonisht. Ka një përmirësim të lehtë për Shqipërinë në indeksimin e korrupsionit falë goditjeve të Drejtësisë. Pavarësisht se kryeministri i vendit, Edi Rama, mundohet ta relativizojë si fenomen, duke i dhënë besimin SPAK-ut, qasja e tij morale lidhur me përgjegjësinë lë shumë për të dëshiruar, ashtu si edhe e shumë personazheve të tjera. Fatkeqësisht, opozita e përçarë keqazi në jo pak momente ka treguar se është pjesë e këtij realiteti jo të zakonshëm, kurse ish-kryeministri Berisha mban non-gratën amerikane dhe britanike me motivacionin e korrupsionit galopant.

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, që tashmë është në dyert e Kuvendit për votim dhe qëndrimi ndaj saj, nuk është se mund të ndryshojnë diçka. Kjo dihet fare qartë dhe pastër: Politika është vetë përgjegjëse.

Ndërkohë, publiku kërkon zgjidhje dhe luftë ndaj korrupsionit, kurse opozita ia var të gjithë përgjegjësinë qeverisjes së Ramës. Kryeministri e shtegton fajin, duke e bërë përgjegjëse pikërisht dezinformimin, madje në takimin e pak orëve më parë të Italisë përdori edhe një gjuhë të ashpër për kritikët, që i janë shtuar jo pak. A mund të ndryshonte një formim më i mirë arsimor për perceptimin? Po, nëse kapitali social do kishte parametrat të lartë a do ndikonin sa i përket perceptimeve për politikën e sotme?! Zor të besohet. Kemi një reformë arsimore që nuk ka dhënë asnjë efekt, për të mos thënë që e ka keqësuar edhe më shumë gjendjen e saj.

“ Ndërtimi i komuniteteve të forta në të cilat qytetarët ndihen të lidhur dhe besuar ndaj njëri-tjetrit ka shumë përfitime, njëra prej tyre është se do të ndihmojë në përmirësimin e perceptimeve publike për sferën politike. Megjithatë, as arsimi dhe as kapitali social nuk janë ilaç. Të dhënat tregojnë se arsimi në përgjithësi i ndryshon qëndrimet në një farë mase, por jo plotësisht”, shkruan Clive Bean tek “Are we keeping the bastards honest? Perceptions of corruption, integrity and influence on politics” (A po i mbajmë të ndershëm bastardët? Perceptimet e korrupsionit, integritetit dhe ndikimit në politikë), që na ka ndihur për titullin.

Janë pikërisht arsimimi dhe njohuritë që gjeneron, të cilat ndihmojnë në krijimin e

sferave më të aksesueshme të politikës për individët, i referohemi studiuesit e mësipërm. Në fakt, e gjithë Lindja po vuan shkollimin dhe sidomos humbjen e kredibilitetit të arsimimit të saj, por mbi të gjitha sesi ndodh edhe që individi i shkolluar që rekrutohet në administratë e bën paq korrupsionin. Më shqetësues akoma mbetet papërgjegjshmëria e qeverive dhe sidomos në rastin e sotëm mos marrja e përgjegjësive. Kjo ndodh rëndom në maxhorancë me Ramën, pas akuzave të korrupsionit, por së fundi u pa në një rast edhe me kreun teknik të Opozitës z. Noka, kur u nis një hetim mbi pasurinë e tij. Kjo, përbën atë që më së shumti ushqen shqetësimin e qytetarëve shqiptarë: privilegjohen shumë pak individë.

Zgjidhja që i mbetet publikut është e dukshme: Ikja. Megjithëse Rama mëton se shifrat janë jo ato që jepen në media për largimin, fakt është sipas INSTAT, se çdo vit largohen nga vendi rreth 42.000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420.000 rezidentë. Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40.000-42.000 banorë, fshihet nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një shifër një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona (Panorama, 2024). Dhe, më shqetësues ende është rasti i fundit që lidhet me Institutin Kombëtar të Statistikave, që ka shtyrë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censusit 2023, që do të vërtetonin edhe më saktë e qartë braktisjen e vendit.

Po pse vendi ynë nuk reagon si duhet edhe pas raporteve, si ai i Transparency International, që i cituar në raportet e tij, mëton se: Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën ekskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar, ku rendit plot 9 ligje që dyshohen se janë bërë me porosi: si Ligji special për Teatrin, Ligji për Mediat Audiovizive, Ligji për Lojërat e Fatit, për Lotarinë Kombëtare, Ligji për Koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania “Air Albania”, apo mbi oferta të pa kërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, etj., të cilat miratohen me shpejtësi nga një shumicë tërësisht e nënshtruar në Parlament, në mungesë të transparencës së duhur dhe konsultimeve jo të plota publike, citohet opozita (Leskaj, 2024).

Por a do të ndihmonte arsimimi dhe një kapital social më i lartë? Zor të besohet nga gjendja aktuale publike apo me politikanët që filtrohen në parlament dhe ku niveli i legjislaturave vetëm bjerret. Integriteti që beson qytetari i thjeshtë te shumë njerëz në momentet më të rëndësishme dhe ku duhet zëri qytetar nuk ndodh. Dhe, sërish fakti që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Shqipëri kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 për qind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime (Leskaj, 2024).

A do mjaftonte arsimi, që politika të ndryshonte? Jo, sepse shumë njerëz të mirë-arsimuar mbeten të pa qartë për vlerat e mira të botës politike. Ose më keq të papërfillur prej saj. Këtë e dinë shumë prej bastardëve, që “hanë kumbullat” pas qeverisë dhe që nuk njohin fare kode morale. Realiteti i Shqipërisë po na i shfaq për ditë të panginjurit, kurse goditja e SPAK-ut mbetet e vetmja dritëz, që vjen nga një tunel që nuk mbaron dhe ku dëgjohet ende gazmimi i të korruptuarve, që fatkeqësisht nuk po mbarojnë në vendin më të varfër të Ballkanit. Po atëherë pse i mbajmë “të ndershëm”, bastardët?! (Homo Albanicus)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN