Nga një korriku paga mesatare në sektorin publik do të rritet në 900 euro. Nga rritja e herë pas herëshme e pagës minimale në vitin e kaluar, edhe sektori privat u detyrua të aplikonte rritje të pagave. Por aktualisht, a do të ketë një imponim të tërthortë të rritjes së pagave edhe në sektorin privat?
Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie, shprehet:
“Sektori privat nuk ka pritur nxitjen nga sektori publik për të bërë rritjen e pagave në dy vitet e fundit pasi është detyruar nga nevojat e tij të përgjithshme, nga shkurtesa e tregut dhe për të rritur konkurrueshmërinë.”
Por si do të përkthehet kjo rritje? Duke ju referuar të dhënave të qëndrës Altax, krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria ka normat më të larta të taksimit të punonjësve e ndaj qeveria do të mbledhë më tepër të ardhura. Por, a është ky i vetmi përfitim nga rritja e pagave dhe si do të ndikojë në hallkat e tjera të zinxhirit të ekonomisë në vendin tonë?
“Së pari kjo do ndikojë te konsumi me aq sa mundet, pasi është një rritje e pjesshme. Ndikimi i dytë ka të bëjë me pjesën e pagave të larta që rrisin kursimet e tyre dhe ndikojnë te depozitat të cilat janë shtuar në lekë nga kjo arsye. Dhe ndikimi i tretë është që sa më shumë të rriten pagat, natyrshëm rriten edhe taksat e punës”, shprehet Gjokutaj.
Sipas qëndrës Altax, aktualisht ka 12 sektorë dhe nënndarje të shumta të tyre që kanë nevojë të rishikojnë pikërisht modelin e indeksimit të pagës jo me vendime qeverie, por në formatin e përcaktuar në kontratat individuale dhe ato kolektive.