Gjatë sezonit turistik veror, punonjësit e Policisë së Shtetit do të punojnë 12 orë. Në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi që parashikon zgjatjen e kohës normale të shërbimit me 4 orë. Deri në datën 15 shtator, turni i shërbimit për një efektiv të Policisë nuk do të jetë më 8 orë. Kjo zgjatje e kohës normale të punës do të kompensohet me pagë dhe pagesa do të kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të mbulohen nga buxheti i shtetit për programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, pati dalë me një urdhër për anulimin e pushimeve verore të efektivëve të Policisë. Vetëm pas datës 15 shtator dhe deri në fund të vitit 2024, punonjësit e policisë do të kenë mundësi të marrin pushimet e tyre. Ky vendim është marrë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror për turistët vendas e të huaj që kanë vendosur të kalojnë pushimet në territorin shqiptar. Punonjësit e Policisë së Shtetit do të jenë në gatishmëri të plotë për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Më datë 1 korrik hyri në fuqi edhe rritja e pagave për punonjësit e policisë. Ndërkohë që së fundmi, Policia e Shtetit po angazhohet për ruajtjen e qetësisë publike dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes akustike dhe zhurmave mbi kufirin e lejuar, veçanërisht në zonat bregdetare.