Temperaturat ekstremisht të nxehta, si të ditëve të fundit që po kalon vendi ynë, mund të shkaktojnë reagime psikologjike ku përjetimi i ankthit dhe acarimit janë disa prej atyre që hasen më shpesh në çdo individ.
Është parë që temperaturat e larta ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto simptoma. Ndikon madje edhe në gjumë. Individët kanë pështjellime gjatë gjumit dhe zgjohen më të lodhur. Ndryshimi i sjelljeve që vihet re është parë një rritje e agresivitetit ose dhunës brenda familjes në këtë periudhë temperaturash të larta. Pra ka një ndikim psikologjik, qoftë edhe në sjelljen e individëve, SIPAS eksperteve të ISHP.
Psikiatrja Irena Thoma tha në një emision televiziv, se vapa shton nervozizmin dhe agresivitetin te njerëzit pasi ul prodhimin e hormonit të lumturisë që është serotonina.
“Në temperatura ekstreme mund të ketë çrregullime të shëndetit mendore, temperaturat shumë të larta ndikojnë në aksin hipofiz adrenal që rregullon aktivitetin e kortizolit, rritja e stresit shkakton rritjen e kortizolit dhe shoqërohet me rritje me çrregullime fizike te individët. Një faktor tjetër është se çrregullojnë neurotransmetuesit, temperaturat e larta ulin niveli i serotoninës, që është hormoni i lumturisë çka shton nervozizmin dhe agresivitetin”, tregoi mjekja psikiatre.