MENU
klinika

Rene Rexhepi, ndër më të mirët në botë!

Një dokumentar kushtuar kuzhinierit shqiptar

17.07.2024 - 13:29

Kuzhinieri i restorantit “Noma”, për disa vite i zgjedhuri si më i miri në botë, me tre yje “Michelin”, René Rexhepi, ka eksploruar gjithnjë lidhjet mes ushqimit dhe kulturës e tokës së vendit ku jeton, Danimarkës.

Së fundmi, rrugëtimi I tij në historinë botërore të kulinarisë, është bërë dokumentar. “Omnivore”, u filmua në pesë kontinente, duke u kushtuar episode individuale njerëzve dhe historive pas tetë përbërësve thelbësorë të traditave të kuzhinës në mbarë botën: bananes, biberit, kafes, misërit, mishit të derrit, orizit, kripës dhe tonit.

Rexhepi rrëfen për dokumentarin, se si kanë ndikuar përbërësit në mendësinë dhe formimin e shoqërisë, besimit, historisë e njerëzimit. “Omnivore” udhëton në Danimarkë, Serbi, Tailandë, Japoni, Gjibut, Peru, Kore të Jugut, Francë, Kolumbi, Indi, Bali, Ruandë, Meksikë dhe vende përgjatë Shteteve të Bashkuara.

Për Rexhepin ushqimi që ne zgjedhim ka ndikim të madh në planet dhe nëse do e vlerësonim këtë 10-15 për qind më shumë, kryesisht në Perëndim, ai thotë se do të ishte gjë e mirë për të gjithë, për shëndetin tonë, për shëndetin e fëmijëve tanë, por ndoshta edhe për mënyrën se si e trajtojmë Tokën.

Kuzhinieri shton se krijimi i dokumentarit e ka mësuar se sa të rrezikuara janë disa tradita.

“Zejtarët, pavarësisht nëse janë duke rritur një banane të vogël ose duke bërë një pjatë, po zhduken me shpejtësi sepse ne thjesht nuk e vlerësojmë më atë stil”, thotë Rexhepi. “Më ka habitur që ata po zhduken, anembanë botes. Nuk ka rëndësi se ku jeni. Dhe ky është një turp. Ne vërtet duhet të kujdesemi për këtë. Do të humbasin gjëra që nuk mund t’i rikthejmë më kurrë”.

Rexhepi është lindur në Kopenhagë, Danimarkë. Babai i tij është shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe nëna është daneze. Ai ka thënë se sa ka jetuar në Maqedoni të Veriut. Ka jetuar në një zonë rurale ku kanë ngrënë ushqim vendor, kryesisht vegjetarian dhe shumë të shëndetshëm.

Restoranti i tij “Noma2” është votuar si më i miri në botë nga revista “Ëorld’s Best Restaurants” në vitin 2010, 2011, 2012, 2014 dhe 2021 dhe i është dhënë ylli i tretë “Michelin” në vitin 2021.