MENU
klinika

Inflacioni me metodologjinë e Eurostat

Çmimet e ushqimeve me rritjen më të lartë në Qershor

18.07.2024 - 10:01

Matja e inflacionit sipas metodologjisë së Eurostat nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Qershor 2024 ishte 2,5%. Ky rezultat ishte më i lartë se matjet kombëtare, të cilat për të njëjtin muaj rezultuan 2.1%.

Sipas Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 3,8% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,7%, “Veshje dhe këpucë” me 3,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,6%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,5%, “Shëndeti” me 2,4%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,7%, “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0,2% secili.

Në muajin Qershor 2024, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,5%, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 0,4%, “Transporti” me 0,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1% secili.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u rritën me 0,3%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1%.

Në BE inflacioni mesatar ishte 2.6% në qershor. Nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve e kishte Belgjika, Rumania dhe Islanda me mbi 5% dhe nga ana tjetër rritja ishte më ulët në Finlandë, Itali dhe Lituani me më pak se 1%.

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e iÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e iÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.

Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./Monitor