Ministria e Financave ka mbyllur përfundimisht koncesionin e markimit të karburanteve. Vendimi u mor pas përfundimit të kontratës së koncesionit /PPP “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”, që parashikonte shërbimit e markimit dhe të monitorimit të karburanteve për qëllim të shmangies së evazionit fiskal dhe ishte miratuar në maj 2013.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në ligjin për akcizat, sipas të cilit, Administrata doganore është përgjegjëse për administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit. Doganat do të fillojnë ta kryejnë këtë shërbim nga data 9 gusht, një ditë pas përfundimit të kontratës së koncesionit.
Operacionet e markimit të karburanteve filluan të zbatoheshin në terren nga kompania koncesionare GFI Albania në në muajin Shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më datë 23 Qershor 2014.
Në gusht të vitit të kaluar Qeveria e shtyu edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve. Sipas vendimit të një viti më parë, kontrata e koncesionit u bë 11 vjet, duke filluar nga data efektive.
Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar. Vendimi nuk dha arsyet e shtyrjes, por sqaroi vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.
Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje me disa vjet lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.
Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër.
Deri në 2021, për 9 vite (periudha 2013-2021), të ardhurat e kompanisë GFI Albania, që bëri zbatimin e kësaj kontrate sipas bilanceve në QKB janë rreth 3,4 mld lekë, apo 32 mln euro.
Pak muaj më parë financat vendosën të mos rinovohet më as kontrata e pullave fiskale me “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”,. Nga data 1 janar 2025 prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
Njëkohësisht financat nuk i dhanë dritë jeshile as një koncesioni të propozuar “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës të çelësave publikë PKI”, i cili parashikonte që rreth 120 mijë certifikata elektronike do të prodhoheshin çdo vit për fiskalizimin e bizneseve.
Edhe ky koncesion ishte kundërshtuar nga grupet e interesit për shkak të sigurisë së prodhimit./Monitor