MENU
klinika

Analiza

A po e fitojne bankat betejen kunder inflacionit?

27.07.2024 - 15:41

Bankat qendrore po fitojnë betejën kundër inflacionit. Por lufta sapo ka nisur. Politika dhe proteksionizmi do ta bëjnë jetën të vështirë

Trajektorja e inflacionit nuk u ka dhënë bankave qendrore shumë arsye për të festuar në këto vitet e fundit. Por në mbledhjen vjetore të Bankës Qendrore Europiane në Sintra, Portugali, kishte një atmosferë disi më optimiste.

“E di që tingëllon paksa arrogante”, tha presidentja e BQE-së Christine Lagarde më 1 korrik, “por zbutja e inflacionit të lartë është e jashtëzakonshme”.

“Ne kemi bërë shumë përparim”, tha Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale të Amerikës. Të tjerët pajtohen me ta. “Bankat qendrore e kanë përballuar mirë sfidën e inflacionit të lartë”, vlerëson Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare.

Të dhënat japin vërtet arsye për njëfarë kënaqësie, shkruan The Economist. Pas rritjeve të çmimeve midis viteve 2021 dhe 2023 me 15% në Amerikë dhe 18% në Eurozonë, normat vjetore të inflacionit tani qëndrojnë përkatësisht në nivelet 2.6% dhe 2.5%.

Sidoqoftë, kënaqësia mund të zgjasë për pak kohë. Inflacioni më i ulët, edhe pse është i mirëpritur, nuk do të risjellë ekonominë relativisht të qëndrueshme që mbizotëronte para pandemisë.

Për sa i përket ofertës, ka disa rreziqe, të cilat mund të kufizojnë rritjen ekonomike dhe të nxisin inflacionin. Rritja e populizmit në Amerikë dhe Europë kërcënon shpërthime fiskale dhe rritjen e trysnisë mbi çmimet.

Bankat qendrore mund të jenë duke fituar betejën kundër inflacionit, por lufta sapo ka filluar.

Shqyrtojmë rreziqet ndaj furnizimit. Donald Trump ka premtuar se do të vendosë një tarifë prej 10% nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, dhe pas performancës katastrofike të Joe Biden në një debat presidencial të mbajtur në Georgia më 27 qershor, investitorët dhe tregjet tashmë mendojnë se është shumë i mundur një mandat i dytë presidencial i Donald Trump.

Kjo taksë dhe çdo kundërpërgjigje kineze ndaj saj, do të rrisin koston e importeve.

Ndryshimet klimatike dhe rritja e investimeve në infrastrukturën ekologjike, po ndikojnë në rritjen e çmimeve të mallrave, në kushtet e një rritjeje të ngadaltë të ekonomisë globale, sipas Bankës Botërore.

Dhe rreziku i një përshkallëzimi të luftës në Lindjen e Mesme është një tjetër kërcënim për ekonominë botërore.

E përbashkëta e këtyre goditjeve të mundshme, është se, ashtu si pandemia, ato kërcënojnë të çojnë rritjen ekonomike dhe inflacionin në dy drejtime të kundërta.

Sipas bankës Goldman Sachs, tarifa prej 10% e kërkuar nga Trump, nëse do të provokonte hakmarrje nga ortakët tregtarë të Amerikës, do të rriste inflacionin amerikan me 1.1 pikë përqindje, ndërkohë që do të ulte në mënyrë margjinale edhe rritjen ekonomike të vendit.

Prodhimi në Eurozonë mund të bjerë me 1%. Dhe kjo pa marrë parasysh dëmin shtesë nga një tarifë prej 60% ndaj mallrave kineze, e cila mund të vendoset gjithashtu nga Trump.

Në teori, bankat qendrore duhet t’i shpërfillin goditjet e ofertës, të cilat ushtrojnë veçse një efekt kalimtar mbi inflacionin. Por në praktikë, me shpërthime të përsëritura të inflacionit, objektivat e bankave qendrore për inflacionin mund të përfundojnë duke u dukur thjesht si teorike.

Megjithatë, mundësia tjetër e rritjes së normave të interesit për të ndalur shpejt inflacionin, do të ishte e dhimbshme. Nëse zoti Powell, zonja Lagarde ose pasardhësit e tyre, do të rrisnin normat e interesit sa herë që kishte rrezik për luftë tregtare, ekonomia botërore do të bëhej shumë më e paqëndrueshme.

Një problem tjetër është dëshira e rigjetur e politikanëve për shpenzime të mëdha. Bota ka zbuluar tashmë se luftërat, pandemitë dhe krizat e mallrave, janë mjaft të kushtueshme.

Megjithëse tarifat rrisin të ardhurat e qeverisë, goditjet e ofertës priren të dëmtojnë rritjen ekonomike, duke i bërë borxhet më të vështira për t’u shlyer.

Tregjet e bonove janë tashmë të shqetësuar nga politikat e shfrenuara fiskale. Investitorët u trembën nga mundësia e fitores së të djathtës populiste në zgjedhjet parlamentare në Francë, dhe u qetësuan disi pas raundit të parë të votimit, kur dukej më e mundshme mungesa e një shumice absolute.

Yield-et e bonove dhjetëvjeçare janë rritur ndërsa investitorët presin një rikthim të Partisë Republikane në zgjedhjet e Amerikës në nëntor, gjë që do të bënte më të mundshme shkurtimet e taksave të financuara nga deficiti.

Politika të tilla vetëm sa do të rrisin inflacionin, duke i detyruar bankat qendrore që në përgjigje të rrisin normat e interesit, duke u përplasur kështu me zotin Trump dhe politikanë të tjerë populistë.

Një rrugë me pengesa

Rreziku i një bote më inflacioniste po nënvlerësohet. Ndonjëherë atmosfera në takimin në Sintra, bëhej e zymtë, por pavarësisht shqetësimeve të kohëve të fundit, tregjet financiare në pjesën më të madhe vlerësohen me çmime të çmendura, sikur inflacioni të ishte thjesht një lajthitje kalimtare dhe së shpejti do të mbizotëronte qëndrueshmëria.

Pandemia shënoi fillimin e një kohe të re të rrezikshme, kur bankat qendrore do t’i kenë fitoret shumë më të rralla dhe të vështira./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!