MENU
klinika

Intervista/ Rritja e rrogave

Si do të bëhet unifikimi i pagave për 37 mijë punonjës

09.08.2024 - 18:33

Ashtu siç është bërë me dije pak ditë më parë, qeveria ka vendosur të rritë pagat për 61 bashkitë në vend. Por sa do të rriten specifikisht pagat dhe si do të bëhet unifikimi i tyre?

Eksperti i çështjeve dhe qeverisjes vendore, Agron Haxhimali, e vlerëson si një lajm shumë të mirë rritjen e pagave, por nga ana tjetër thekson se zbatimi i këtyre reformave kërkon planifikim të kujdesshëm dhe angazhim të palëve të interesuara. Ai shton më tej se vendimi, në fakt, favarizon bashkitë e vogla, pasi paga e punonjësve në këto bashki afrohet me pagat e bashkive me popullsi më të madhe sipas kësaj ndarjeje.

Qeveria bëri me dije se do të ketë një reformë në politikat e pagave në të gjitha bashkitë e vendit. Si e vlerësoni këtë reformë?

Rritja e pagave përbën një lajm të mirë për të gjitha nivelet e administratës lokale në 61 bashki dhe 12 qarqe, për specialistë, përgjegjës sektori, drejtues, titullarë departamentesh, administrator etj. Por nga ana tjetër, grupimi i njësive vendore për efekt të kategorive të pagave sipas popullsisë së bashkive sjell një dimension tjetër të rëndësishëm. Zbatimi i këtyre reformave kërkon planifikim të kujdesshëm, angazhim të palëve të interesuara, punonjës, menaxher dhe forcim të sindikatave, të cilat janë jo aktive apo nuk ekzistojnë fare. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se rritja e pagave bëhet edhe për përshtatjet e kostos së jetesës, referuar në inflacionin dhe koston e jetesës në bashki të ndryshme për të siguruar që punonjësit të mbajnë një standard të arsyeshëm jetese.

Sa do të rriten specifikisht pagat dhe si do të mbulohet rritja e tyre? Sa është numri i punonjësve përfitues?

Ndryshimet e miratuara do të rrisin pagat nga 20- 40%. Por kjo është në varësi të klasifikimit të funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page. Ndryshimet që propozon ky vendim i këshillit të ministrave shoqërohet me efekte financiare.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data 1 shtator 2024 dhe për vitin 2024 përballohen nga: 1. Qeveria qendrore, për nivelet e pagave, sipas kufirit minimal, nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar; 2. Qeveritë vendore (bashkitë dhe këshillat e qarqeve) për çdo nivel page, të miratuar mbi kufirin minimal e deri në kufirin maksimal, nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ndërsa qeveria qendrore përmbush pjesën e saj, duhet që dhe bashkitë të angazhohen për pjesën e tyre drejt kufirit maksimal. Sipas raportit të Institutit për Bashkitë, numri i punonjësve në njësitë e qeverisjes vendore në dhjetor 2023 ishte 37.000.

Cilat janë arsyet që bashkitë e vogla do të përfitojnë më shumë prej rritjes së pagave?

Vendimi, në fakt, favarizon bashkitë e vogla, pasi paga e punonjësve në këto bashki afrohet me pagat e bashkive me popullsi më të madhe sipas kësaj ndarjeje. Përkatësisht për bashkitë me 100 001 deri në 200 000 banorë, si dhe me mbi 200 000 banorë, klasa I-5, e lidhjeve nr.3 dhe nr.4.

Ndërkohë për bashkitë me 50 001 deri në 100 000 banorë, si dhe për bashkitë me deri në 50 000 banorë, klasa II-2, e lidhjeve nr.5 dhe nr.6. Pra nga shtatori kategorizimi për efekt page për bashkitë deri 20.000 banorë dhe nga 20.000 -50.000 janë hequr. Kjo do të thotë që stafet e këtyre bashkive do të trajtohen financiarisht më mirë dhe krahasueshëm me bashkitë e mëdha.

Çfarë do të sjellë unifikimi i nivelit të pagave për të gjitha bashkitë e vendit?

Duhet të qartësoj se unifikim të pagave ka për specialistët dhe përgjegjësit e sektorëve në bashki pavarësisht numrit të popullsisë. Për pozicionet e tjera ka përafrim sipas kategorive që përmenda më sipër duke përfshirë dhe Bashkinë Tiranë që është grupim më vete. Unifikimi do të rrisë konkurrencën me tregun privat të punës nga njëra anë, nga ana tjetër do të rrisë konkurrencë mes vetë bashkive dhe administratës publike vendore dhe qendrore.

A mendoni se rritja e pagave për bashkitë do të shoqërohet me një performancë edhe më pozitive, në mënyrë që qytetarit t’i shërbehet më mirë nga qeverisja vendore?

Rritja e pagave për stafin e bashkive mund të ketë disa efekte pozitive, duke përfshirë:

1-Tërheqja dhe mbajtja e specialisteve. Pagat më të larta mund të tërheqin dhe mbajnë individë të aftë dhe të kualifikuar për të punuar për bashki;

2- Përmirësimi i moralit dhe produktivitetit të punonjësve. Paga e mirë mund të çojë në kënaqësi më të lartë në punë, e cila nga ana tjetër mund të rrisë produktivitetin, motivimin dhe moralin e përgjithshëm midis punonjësve;

3-Rritja e cilësisë së shërbimit. Me staf më të paguar dhe më të motivuar, cilësia e shërbimeve publike të ofruara nga bashkia ka të ngjarë të përmirësohet, duke përfituar komunitetin në tërësi;

4-Ulja e korrupsionit. Pagat më të larta mund të zvogëlojnë nxitjen e punonjësve për t’u përfshirë në praktika korruptive, pasi ata do të ishin më pak të presionuar financiarisht.

Nga viti 2025 bashkitë do të përfitojnë fondin nga buxheti i shtetit përmes një formule të re. Si do të jetë kjo formulë?

Mendoj dhe unë se duhet riparë formula e buxhetimit të bashkive. Ka dy arsye sipas meje:

1- Rezultati i Cens23 tregoi që numri i popullsisë në të gjitha bashkitë ka pasur ndryshime, duke u ulur madje në shumë bashki ndjeshëm. Gati 25% e bashkive sipas cens kanë më pak se 10.000 banorë. Numri i banorëve si kriter përcakton 80% të buxhetit që qeveria jep për bashkitë.

2- Sakaq, nuk duhet harruar dinamika e zhvillimeve në Shqipëri, rezultati i decentralizimit 10 vjet pas reformës territoriale. Kjo kërkon një analizë të thellë që unë do ta lidhja me kapitalin natyror të çdo bashkie, potencialin e zhvillimit ekonomik dhe kapacitetet menaxheriale të bashkive. Në këtë moment nuk e di si do të jetë formula e re, por i bëj apel qeverisë që buxheti për bashkitë të mos ulet.

Qeveria ka miratuar edhe ndryshimet në orarin e punës për punonjësit e administratës, që parashikojnë më shumë fleksibilitet. A mendoni se do të sjellë më shumë produktivitet?

Cili është komenti juaj për ristrukturimin e stafeve të bashkive? Pajtohem me qasjen e fleksibilitetit. Uroj të ndryshojë sjellja organizative dhe përgjegjshmëria administrative mes punonjësve dhe drejtuesve. Kjo kërkon që titullarët e institucioneve dhe ato të burimeve njerëzore të përcaktojnë qartë detyrat dhe përgjegjësitë, termat kohore etj. dhe të ndërtojnë sistemin e vlerësimit dhe monitorimit. Vetëm kështu mund të mbajmë të disiplinuar administratën, të mbrohet funksionaliteti i institucionit, të matet produktiviteti, integriteti dhe transparenca e çdo zyrtari pavarësisht kohës dhe vendit ku ai do ta ushtrojë përgjegjësinë e tij ligjore. /panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!