Monedha e përbashkët ka shënuar ulje të vazhdueshme gjatë kësaj jave, duke zbritur të premten në nivelin e 100.8 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në këmbimin e Euros me Lekun, duke iu afruar kufirit të 100 lekëve.
Që në qershor, Euro i ishte afruar ndjeshëm nivelit të 100 lekëve që njihet dhe si kufi psikologjik, por më pas nivelet e këmbimit ishin të qëndrueshme, kryesisht për shkak të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në blerje të valutës.
Por, fillimi i gushtit gjithnjë shoqërohet me efekte sezonale, si rrjedhojë e shtimit të valutës në treg, nga emigrantët që kthehen në atdhe dhe vitet e fundit edhe nga turistët, që po sjellin valutë në vend.
Për periudhën janar-9 gusht, Euro është këmbyer mesatarisht me 101.7 lekë, nga 111 lekë që ishte mesatarja për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një nënçmim prej 8.3%.
Ndërsa në raport me janar-9 gusht 2022, kur këmbehej mesatarisht me 120 lekë, monedha e përbashkët vlen gati 20 lekë më pak, me rënie 15%.
Sipas aktorëve të tregut, ky zhvlerësim i fortë në tregun vendas lidhet me ofertën e lartë për valutë, që ka ardhur si nga turizmi, ashtu dhe nga burimet informale, që janë gjithmonë të pranishme, sidomos në sektorin e ndërtimit.
Rënia e euros ka goditur ndjeshëm eksportuesit, të cilët kanë parë rënie të të ardhurave, madje shumë sipërmarrje në industrinë fason kanë deklaruar që janë në prag falimentimi.
Një tjetër sektor i goditur është turizmi, me hotelet që u detyruan të rrisin çmimet për të amortizuar rënien e Euros, çka nga ana tjetër çoi në tkurrje të kërkesës dhe prenotimeve.
Individët që paguhen në valutë janë të tjerë humbës dhe po ashtu familjet që marrin të ardhura nga emigrantët.
Të fituarit më të mëdhenj janë importuesit, që po blejnë më lirë dhe qeveria që i ulet kosto e borxhit të jashtëm. Individët që kanë kredi në euro janë gjithashtu të lehtësuar.
Edhe ata që duan të bëjnë pushime jashtë mund të blejnë më shumë valutë me të njëjtën sasi lekësh./Monitor