Vizita katër ditore e Kryeministrit kinez Li Qiang në Rusi dhe Bjellorusi këtë javë synon, sipas analistëve, të thellojë bashkëpunimin mes të dy vendeve dhe të forcojë marrëdhëniet ndërmjet Pekinit dhe Moskës, ndërkohë që marrëdhëniet e tyre tregtare po tregojnë shenja të rënies.
Analistët thonë se Pekin shpreson që përmes vizitës së zotit Li të sigurojë Moskën që marrëdhëniet dypalëshe do të mbesin pozitive, si dhe t’i bëjë thirrje Rusinë të parandalojë përshkallëzimin e luftës ndaj Ukrainës, përkundër rezultateve që dyja palët kanë shënuar në fushëbetejë gjatë ditëve të fundit.
“Kina dëshiron të sigurojë Rusinë se çështjet në marrëdhëniet e tyre dypalëshe në aspektin ekonomik dhe tregtar, janë vetëm çështje logjistike, ndërkohë që dëshiton të përcjellë mesazhin se Pekini nuk dëshiron të shoh një përshkallëzim në konfliktin e Ukrainës dhe Rusisë”, i tha Zërit të Amerikës, analisti Philip Ivanov pranë Institutit për Politikat për Azinë.
Kryeministri Li e filloi vizitën në Moskë të martën dhe do ta përfundojë të premten, krahas një ndalese në Bjellorusi.
Gjatë takimit me zotin Li të mërkurën, Presidenti rus Vladimir Putin lavdëroi marrëdhëniet e shtuara tregtare ndërmjet Kinës dhe Rusisë dhe tha se përpjekjet “dypalëshe” kanë “dhënë rezultate pozitive.”
“Shtetet tona kanë zhvilluar plane të përbashkëta të nivelit të lartë dhe projekte në sferën ekonomike dhe humanitare, të cilat do të vazhdojnë ndër vite”, deklaroi zoti Putin, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe tregtare nuk janë vetëm duke u zhvilluar, “por ato po lulëzojnë.”
Zoti Li u përgjigj duke thënë se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh përmes inovacionit shkencor dhe industrial, ndërkohë që propozoi që të dyja palët që të thellojnë këmbimet kulturore, turistike dhe arsimore.
Veç zotit Putin, zoti Li u takua edhe me kryeministrin rus Mikhail Mishustin dhe të dy palët u pajtuan të çojnë përpara marrëdhëniet në sektorë të rinj, siç janë ekonomia digjitale dhe zhvillimi i industrisë së gjelbër.
Përkundër optimizmit të shprehur nga zyrtarët kryesorë të të dyja vendeve, marrëdhëniet dypalëshe tregtare ndërmjet Kinës dhe Rusisë janë ndërlikuar gjatë muajve të fundit, për shkak të, siç njoftohet, vendimit të shumë bankave kineze që të refuzojnë pagesat direkte nga entitetet ruse në monedhën kineze yuan dhe për të rritur vlerën e këmbimit të yuanit në rubël, monedhën zyrtare ruse.
Ndërkohë, sipas njoftimeve të mediave, eksportet kineze për në Rusi duhet të kalojnë nëpër shtete të treta, siç Kazakistani apo Kirgistani, për t’iu shmangur sanksioneve të imponuara ndaj Rusisë.
Kjo situatë ka shkaktuar një rënie të rëndësishme të eksporteve kineze drejt në Rusisë këtë vit.
Sipas analistit Ivanov, këto ndërlikime tregtare kanë shkaktuar probleme serioze për Rusinë tani që Moska është bërë “pothuajse plotësisht e varur” nga importet kineze, siç janë pjesët e automobilëve dhe për fabrika, për të mbajtur gjallë ekonominë e saj dhe furnizimin për luftë që nga fillimi i konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
“Pres që problemet ekonomike në marrëdhëniet dypalëshe do të mbizotërojnë diskutimet (ndërmjet zotit Li dhe zyrtarëve rusë) dhe ndonëse mund të ketë përparim, nuk pres që ai të jetë thelbësor, meqë disa nga këto çështje nuk zgjidhen lehtë”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Marrëdhëniet politike dhe strategjike
Vizita e zotit Li vjen mes përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin strategjik në mes dy vendeve.
Ndërkohë që Rusia vazhdon të luftojë kundër forcave ukrainase në fushëbetejë, Kina dhe Rusia së fundmi kanë bërë patrullime të përbashkëta në zonat në afërsi të Alaskës dhe Japonisë dhe bënë një stërvitje të përbashkët detare në Detin e Kinës së Jugut.
Gjatë vizitës së zotit Putin në Kinë në muaj maj, Presidenti kinez Xi Jinping dhe zoti Putin publikuan një deklaratë ku thuhej se janë pajtuar për të thelluar “partneritetin gjithpërfshirës strategjik të bashkërëndimit” mes dy vendeve.
“Deklaratat e zotit Putin dhe zotit Xi në maj dhanë disa sinjale se do të kishte më shumë bashkëpunim në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Kinës dhe vizita e zotit Li tani është pjesë e përpjekjeve për ta ngritur partneritetin e tyre të gjithanshëm strategjik”, i tha Zërit të Amerikës eskpertja Sari Arho Havren, pranë Institutit të Shërbimeve të
Bashkuara Mbretërore.
Përkundër marrëveshjes për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe strategjike, analisti Ivanov thotë se trajektorja e luftës në Ukrainë dhe marrëdhëniet e shtuara të Rusisë me Korenë e Veriut mbesin faktorë që mund të ndërlikojnë marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Rusisë.
“Gjatë kësaj vizite, zoti Li me gjasë do të theksojë nevojën që Rusia t’i shmanget përshkallëzimit, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve taktike bërthamore dhe sulmeve ndaj centraleve bërthamore të energjisë”, shtoi analisti Ivanov.
“Kina e kupton që marrëdhënia ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Veriut është kryesisht marrëdhënie ushtarako-industriale dhe meqë Pekini ka kanale të drejtpërdrejta komunikimi me të dyja vendet, ata mendojnë që rreziqet e kësaj marrëdhënieje janë të menaxhueshme,” thotë ai.
Kundërshtimi i NATO-s
Veç ruajtjes së marrëdhënieve me Rusinë, disa analistë thonë se Kina po ashtu synon të dëshmojë aftësitë për t’i rezistuar, asaj që e konsideron, si trysni të shtuar të NATO-s, përmes vizitës së zotit Li në Bjellorusi.
“Duke patur parasysh shqetësimet e shtuara të Kinës ndaj NATO-s, përafrimi me Bjellorusinë i ndihmon Kinës të dëshmojë se
Pekini mund t’i rezistojë NATO-s në forma të ndryshme”, thotë studiuesja e lartë nga Universiteti ‘Columbia’ Elizabeth Wishnick.
Në muajin korrik, Bjellorusia u bë anëtare e re e Organizatës për Bashkëpunim të Shanghait dhe Minsku e Pekini organizuan një stërvitje të përbashkët kundër terrorizmit me Kinën në afërsi të kufirit polako-ukrainas, që sipas zonjës Wishnick, synontre t’i dëshmonte NATO-s se Pekini “ka miq” në Evropë.
Përkundër sfidave që ekzistojnë në marrëdhëniet dypalëshe, analisti Ivanov thotë se forcimi i bashkërendimit diplomatik në aspektin global ndërmjet Kinës dhe Rusisë është interes i përbashkët i Kinës dhe Rusisë, siç është shembulli me zgjerimin e organizatës BRICS dhe përmes përpjekjeve të tyre të përbashkëta për t’u dhënë përgjigje konflikteve globale siç është lufta në Gazë, të cilat do të garantojnë që marrëdhëniet në mes tyre mbesin të forta.
“Ritmi i diplomacisë dhe niveli i angazhimit dëshmojnë që ky është një partneritet në të cilin Kina dhe Rusia po investojnë”, i tha ai Zërit të Amerikës./VOA