MENU
klinika

Zëri i Amerikës

Bashkëpunimi Kinë-Rusi në Arktik ngre shqetësime!

29.08.2024 - 09:30

Ndërsa Kina dhe Rusia kërkojnë të thellojnë bashkëpunimin në Arktik, analistët nënvizojnë shqetësimet lidhur me rritjen e konkurrencës gjeopolitike në rajon, çka i detyron vendet të mendojnë më shumë se si t’u përgjigjen kërcënimeve të mundshme.

Pas një takimi në Moskë më 21 gusht midis Kryeministrit kinez Li Qiang dhe Kryeministrit rus Mikhail Mishustin, Kina lëshoi një komunikatë të gjerë mbi mënyrat se si të dy vendet po rrisin bashkëpunimin.

Për sa i përket Arktikut, Pekini dhe Moska u zotuan të forcojnë bashkëpunimin në fusha që përfshijnë transportin detar, sigurinë e lundrimit, teknologjinë dhe ndërtimin e anijeve polare.

“Të dy vendet do të inkurajojnë kompanitë e tyre që të angazhohen në mënyrë aktive për të bashkëpunuar në transportin përmes Arktikut, bazuar në parimet e tregut dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes së ekosistemit të Arktikut”, thuhet në komunikatë.

Analistët thonë se kjo është pjesë e përpjekjeve të Pekinit dhe Moskës për të thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si transporti, eksplorimet për energjinë dhe siguria e Arktikut.

“Kina ka investuar në projektet energjetike ruse në Arktik, ka bashkëpunuar me Rusinë në zhvillimin e anijeve dhe infrastrukturës dhe ka kryer stërvitje ushtarake në rajonin e rëndësishëm strategjik”, thotë Patrik Andersson, analist i organizatës “Swedish National China Center”.

Në korrik, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut njoftoi se kishte gjurmuar katër avionë bombardues strategjik me rreze të gjatë veprimi, dy kinezë dhe dy rusë, që fluturonin në qiellin bregdetar të Alaskës.

Që nga viti 2023, Pekini dhe Moska kanë bashkëpunuar për të zhvilluar “Rrugën e Detit të Veriut” përgjatë vijës bregdetare të Arktikut rus, për të cilën Presidenti Vladimir Putin ka thënë se është “absolutisht thelbësore”. Dy vendet nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi që synon thellimin e bashkëpunimit të sigurisë midis rojeve të tyre bregdetare.

Pavarësisht përpjekjeve për të thelluar bashkëpunimin në Arktik, zoti Andersson thotë se ka ende disa pika fërkimi midis Pekinit dhe Moskës.

“Historikisht Rusia është treguar e matur për ta ftuar Kinën në Arktik, sepse Moska e sheh rajonin si oborrin e shtëpisë së saj”, tha ai për Zërin e Amerikës në një intervistë nga Stokholmi.

“Ndërsa balanca e fuqisë dypalëshe po zhvendoset gjithnjë e më shumë në favor të Kinës që nga fillimi i Luftës së Ukrainës, Rusia po bëhet më e varur ekonomikisht dhe politikisht nga Kina, çka mund ta detyrojë Moskën që të marrë në konsiderata forcimin e bashkëpunimit me Pekinin në disa fusha ku më parë hezitonte”, thotë zoti Andersson.

Ndërsa patrullimi i përbashkët ajror i kohëve të fundit pranë Alaskës ka tërhequr shumë vëmendje, zoti Andersson thotë se qëllimi i bashkëpunimit të tyre ushtarak në Arktik mbetet i paqartë.

“Është e vështirë të përcaktohet se çfarë nënkuptojnë këto prova, nëse ata në të vërtetë janë të gatshëm për një bashkëpunim të ngushtë ushtarak në rajon ose nëse kanë të bëjnë kryesisht me qëndrimin dhe frenimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në Arktik”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Shtimi i vëmendjes ndaj Arktikut

Analistët thonë se disa vende nordike po bëhen më të vetëdijshme lidhur me kërcënimin e mundshëm që mund të sjellë në rajon Kina përmes bashkëpunimit të saj me Moskën.

“Ndërsa zyrtarët në Finlandë po vëzhgojnë zhvillimet në Arktik, padyshim ka një ndërgjegjësim në rritje lidhur me kërcënimet ose sfidat e mundshme që vijnë nga rritja e pranisë kineze në rajon”, thotë Minna Alander, eksperte për sigurinë e Arktikut në Institutin Finlandez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Ajo tha se Rusia mbetet shtytësi kryesor për militarizimin e Arktikut, por që Kina mund të paraqesë sfida për Finlandën dhe shtetet tjera të Arktikut për shkak të strategjive të saj më të fshehta.

“Ekziston gjithmonë një dyshim që shumica e hulumtimeve që Kina po i bën në stacionin e saj në Svalbard të Norvegjisë nuk janë thjeshtë vetëm për përparimin e njerëzimit”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Ekspertët rajonalë thonë se shtetet nordike duhet të hartojnë strategjitë e tyre për t’u përballur me rreziqet e mundshme.

“Mendoj se po fillojmë ta kuptojmë ndërlikueshmërinë e kërcënimeve hibride që mund të kanosen nga Kina dhe Rusia (në Arktik), por ne nuk kemi krijuar mjetet për të na ndihmuar që të përballemi me ato sfida,” thotë analisti Patrik Oksanen pranë organizatës ‘Forumi i Botës së Lirë në Stokholm’.

Ai i tha Zërit të Amerikës se lidhjet ekonomike me Kinën po ndërlikojnë përpjekjet e Suedisë për të hartuar një plan strategjik për t’u përballur me sfidat e reja.

“Nuk ka gatishmëri për të bërë diçka që mund të interpretohet si përshkallëzim i situatës me Kinën, por do të duhet që brenda një periudhe të shkurtër t’u japim përgjigje kërcënimeve të mundshme që Kina dhe Rusia paraqesin në rajonin e Arktikut”, thotë analisti Oksanen.

Marrëveshja e akullit

Sipas zonjës Alander, ajo pret që shtete si Finlanda dhe Suedia, të cilat u bënë anëtare të NATO-s në vitin 2023, të rrisin bashkëpunimin në Arktik me aleatët e tjerë të NATO-s.

“Është në interesin e Finlandës të zhvillojë marrëdhënie me anëtarët e tjerë të NATO-s në sektorë si siguria, ekonomia dhe tregtia, ndërsa Finlanda ka investuar shumë në këto marrëdhënie transatlantike”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Në muajin korrik, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Finlanda njoftuan për një nismë trepalëshe, të quajtur “Marrëveshja e Akullit”, për të bashkëpunuar në prodhimin e anijeve akullthyese polare.

Qeveria kanadeze tha se nisma merr parasysh “përparësinë e vendeve për të garantuar sigurinë në Arktik, përfshirë mbrojtjen e vazhdueshme të normave dhe rregullave tradicionale ndërkombëtare.”

Joar Forssell, ligjvënës suedez i Partisë Liberale, i tha Zërit të Amerikës se krahas bashkëpunimit të shtuar ndërmjet aleatëve të NATO-s, shtetet nordike po shqyrtojnë mundësitë për të thelluar koordinimin për çështjet që lidhen me Arktikun.

Ndërkohë që vendet e NATO-s, krahas Rusisë dhe Kinës, përpiqen të shtojnë bashkëpunimin me partnerët në Arktik, zonja Alander thotë se kjo prirje do të çojë drejt një tensioni më të madh gjeopolitik në rajon, i cili për një kohë të gjatë ka qenë larg betejave politike globale.

“Dikur ekzistonte një slogan ‘Sa më lart në veri, aq më i ulët tensioni’ (për të përshkruar gjendjen në Arktik) por fatkeqësisht, tani gjasat janë që kjo parullë në të ardhmen do të shndërrohet në ‘sa më lart në veri, aq më i lartë tensioni’”, i tha ajo Zërit të Amerikës.