Ish-presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News u shpreh i gatshëm të dëshmojë për çështjen e “21 janarit”, nëse SPAK do e kërkojë. Topi foli mbi gjendjen dhe situatën aktuale të opozitës. Sipas tij opozita po vuan pasojat e pazarit Berisha-Rama, e vitit 2008.
Jeni thirrur nga Spak për “21 janarin”?
Kam qenë kryetar shteti në atë periudhë, është folur kemi analizuar, madje jo specifikisht por brenda një libri për ngjarjet më të rëndësishme politike që kanë shoqëruar presidencën time, kam shkruar edhe për 21 janarin. Në çdo kohë që Prokuroria e Posaçme do kërkojë, unë jam në dispozicion.
Mendoni se do të dalë SPAK pas kaq kohësh të hedhë dritë edhe më tej me këtë ngjarje të rëndë?
Është një çështje shumë profesionale, hetimi i çështjeve të natyrës penale është një punë shkencore se veç procedurës normale futen në lojë edhe elementë vërtetimi e veprës penale siç është rasti konkret.
Ish-presidenti Bamir Topi komentoi edhe tensionet e fundit në politikën shqiptare.
Themelet e demokracisë në Shqipëri janë tronditur rëndë në 2008, e kam parashikuar se ku do të shkojë dhe e kam thënë dhe në korrik, janë këta dy individë, nuk bëhet më fjalë më për themele demokracie, është shkatërruar themeli bashkë me godinën, madje ka një çarje tektonike të fortë, është një metaforë, çarja tektonike e fortë nuk është vetëm në politikë, se e shohim, por ajo që po ndodh në Shqipëri, në institucione, një lloj do të thoja pesimizmi.
Sot është një kaos total që herë ndërrojnë ekipet nëpër Kadastra, herë plani i legalizimit. Këta i shërbejnë njëri-tjetrit hap pas hapi, duket sikur është e pabesueshme, paradoks, por nën zë e thonë shumë vetë, pavarësisht se nuk takohen fizikisht. Rama përfiton qëndrimin, në marrëdhënien me këta të dy diferenca është e thellë, por në marrëdhënie më të tjerë…po të kishte rregulla loje s’do të ishte kjo situatë.
60% e popullsisë nuk e do, po si qëndron? Duke ardhur flukse të reja, parti të reja, kështu nuk je në konkurrencë të lirë. Kryetar të këtyre partive që me shqetësim dalin nëpër televizione, madje dhe figura të rëndësishme rrezikojnë të mos futen në parlament me këto rregulla loje. Rregullat janë dizenjuar vetëm për dy individë, njëri andej, tjetri këtej. Përfitimet e Berishës janë shumë të mëdha, në demokraci pesha, vlera e rolit të kryeministrit është ekuivalent me peshën e kreut të opozitës. Çimenton pozicionin si opozitë, në momentin që opozita formohet në parlament të gjithë të tjerët që sot bëhen në opozitë nuk do të jenë në parlament, sepse është pesha e këtij që kur duhet realizon marrëveshje shumë të rëndësishme me qeverinë. Pazare politike që i kanë realizuar që nga viti 2008.