Njohja e viteve të punës për qytetarët të cilët kanë punuar në kooperativat, ndërmarrjet bujqësore por dhe ato shtetërore ka nxitur interesin e pensionistëve. Jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe të moshuarit tregojnë sesi janë dëmtuar ndër vite dhe kanë ngelur pa zgjidhje. “Vajtëm në gjyq Ai sa të hapte kapakun donte 400 mijë.” “27 vite punë për 160 mijë lekë. Mua më kanë humbur rreth 2 vite punës e si kam gjetur”, thonë disa prej tyre.
“Ka disa kategori. Një grup kanë marrë pension të pjesshëm dhe kështu e kanë akoma, ndërsa pjesa tjetër nuk futen për të fituar se nuk plotësojnë 15 vjet vjetërsi pune për shkak se dokumentet janë zhdukur”, thotë Kujtim Hoxha, ekspert pensionesh. “Mbi 70% e fletëve të regjistrit janë me probleme. Kanë fillimin s’kanë mbylljen, ka korrigjime, s’kanë atësi gjë që e vështirëson dhe qytetarët venë në gjyq”.
Për ata pensionistët që nuk patën mundësi të ndjekin proceset gjyqësore, pranuan humbjen e viteve. Detyrimisht edhe një pension më të ulët. “44 vjet kam punuar e më nxorën me 85 mijë lekë pension. Rro ti me kaq lekë. Ha një kokërr domate dhe një copë bukë me kripë”. “Gabim njerëzor më thanë mua dhe e lashë. Dhe më nxorën 100 mijë lekë, çfarë do bësh do hash do shkosh te doktori do marrësh ilaçet?”, thonë pensionistët.
Janë 29 500 qytetarë që janë në prag të daljes në pension, por që nuk plotësojnë vitet e punës pasi koha që kanë punuar nëpër kooperativa apo ndërmarrje shtetërore nuk rezulton nëpër dokumente. Ekspertët e konsiderojnë një amnisti pensionesh para zgjedhjeve, ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nga qeveria teksa sipas tyre penalizon shumë persona. “Kur qeveria nuk shprehet me vendim është një propagandë që do i fusë më keq njerëzit në gjyqe”, thotë Hoxha.
Nga këto ndryshime do të përfitojnë 7500 persona që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore dhe 22 mijë persona që kanë punuar në ish ndërmarrjet bujqësore dhe ndërmarrje shtetërore.