Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka i ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, zbardhi skenarin e protestës së 26 nëntorit. Paloka tha se protesta do të jetë mosbindje civile ku do të bllokohen të gjitha rrugët e Tiranës.
Ai tha se qytetarët dhe mbështetësit e opozitës do të marshojnë në akset brenda kryeqytetit me qëllim paralizimin e qarkullimit.
“Sot do mblidhemi për protestën. Dua të jap një lajm: Protesta e radhës do jetë bllokim total i Tiranës, i rrugëve, i trafikut në Tiranë, në datën 26. Marshim në Tiranë i qytetarëve. Ky do të jetë qëllimi. Do vuajnë qytetarët, por më mirë të vuajnë një ditë, 1 javë, por do të shpëtojnë nga vuajtja që zgjat prej 12 vitesh dhe që mund të zgjasë akoma nëse nuk reagojmë.
Nga ndërkombëtarët ka një ndryshim në qëndrime. E mbani mend dikur që sa herë njoftonim një protestë vinin reagimet, përjashto njoftimet rutine të ambasadës së USA, por nga shigjetat që vinin…këtë kemi kohë që nuk e dëgjojmë më. Kemi dy rezoluta që janë shumë të rëndësishme, PPE drejton Europën, ka rëndësinë e vet cilësore“, tha ai.
Opozita ka thirrur mbështetësit në protestë kombëtare në Tiranë të martën e 26 nëntorit duke nisur prej orës 17.00.