MENU
klinika

Historia e golave

Shifra 101 në Champions, Levandovski frymëzon Barçën

29.11.2024 - 12:33

Ishte thjesht çështje kohe që Robert Levandovski të arrinte shifrën magjike të 100 golave në Ligën e Kampioneve.

leva

Falë dygolëshit kundër Brestit, ai është bashkuar në një klub të veçantë të lojtarëve që kanë arritur shifrën me tri numra, ku para tij ishin vetëm Lionel Mesi (129) dhe Kristiano Ronaldo (140). Fati e deshi që golin e tij të 100-të në Ligën e Kampioneve ta shënonte me penallti.

Por si për ta festuar vërtet, ai vendosi të shënonte dhe nga loja, atë që ishte goli i 3-0 kundër Brest dhe i 101- ti për të në elitën e futbollit europian. Pavarësisht 36 viteve të tij, sulmuesi po kalon një rini të dytë dhe po rikuperon versionin e tij më të mirë, i cili eklipsoi Europën me fanellën e Bajernit të Mynihut. Aq shumë që në këtë sezon konkurron për “Këpucën e Artë” me bisha si Haland, Giokoeres, Kejn, etj.

Duke qëndruar në krahasimin me dyshen Kristiano-Mesi, Levandovski qëndron mbi dy “alienët” për sa i përket mesatares së golave për ndeshje të luajtur në Champions. Polaku ka shënuar mesatarisht 0.8 gola për ndeshje, ndërsa Ronaldo e Mesi e kanë mbyllur përkatësisht me 0.77 dhe 0.79 gola për ndeshje. Një moment historik spektakolar. Në sezonin aktual ai ka shënuar tashmë shtatë gola në pesë ndeshjet e para dhe është golashënuesi më i mirë në kompeticion, shifra që të kujtojnë epokën e tij të artë në Mynih dhe konfirmojnë se ai po përjeton momentin e tij më të mirë që kur është veshur me fanellën blaugrana.

NISJA DHE ECURIA – Robert Levandovski e filloi karrierën e tij në Champions League në sezonin 2011-12 me Borusian e Dortmundit dhe polaku arriti të shënonte 17 gola në 28 ndeshje përpara se të bënte kërcimin te Bajerni i Mynihut në verën e vitit 2014. Në klubin bavarez ai bëri një hap përpara dhe përmirësoi shifrat e tij për të përfunduar aventurën e tij në Mynih me 69 gola në 78 ndeshje në Champions League, me një theks të veçantë në edicionin 2019-20 në të cilën ai ishte golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 15 gola dhe fitoi trofeun së bashku me trajnerin aktual të Barçës, Hansi Flik. Në vitin 2022, Levandovski bëri hapin e radhës, duke lënë Mynihun dhe transferuar te Barcelona. Dhe në vetëm dy sezone e gjysmë ai tashmë ka grumbulluar 15 gola në 19 ndeshje në kompeticion.
“VIKTIMAT” – Nëse zbërthejmë 101 golat e Levandovskit në Champions League, shohim se dy rivalët e tij të preferuar janë Benfika dhe Cërvena Zvezda, me nga shtatë gola, ndërsa Reali i Madridit dhe Salcburgu kanë pësuar nga gjashtë gola nga polaku. Pesë gola kanë pësuar Ajaksi, Dinamo e Zagrebit dhe Olmpiakosi. Në total, Leva ka shënuar kundër 37 rivalëve të ndryshëm në Champions dhe në nivel vendi ka pasur një lidhje të veçantë dashurie me skuadrat spanjolle, me 14 gola të shpërndarë mes Realit të Madridit (6), Barçës (4) të lartpërmendur, Atletikos së Madridit (2), Malagës (1) dhe Vijarrealit (1).

SHPËRNDARJA – Shumica e golave të Levandovskit në Champions janë regjistruar në fazën e grupeve ose në fazën e rinovuar të ligës (69), por ai është gjithashtu golashënuesi i katërt më i mirë në fazën e eliminimeve direkte me 32 gola, vetëm pas Kristiano Ronaldos (67), Mesit (49) dhe Benzemasë (34). Si një detaj, Levandovski është gjithashtu një specialist për të shënuar në minutat e fundit të ndeshjeve. Polaku ka shënuar 38 nga 101 golat e tij në Ligën e Kampionëve në gjysmën e fundit të dueleve, ashtu siç bëri për të vulosur fitoren ndaj Brestit në minutat shtesë. Leva po përjeton një rini të dytë këtë sezon dhe performanca e tij e mirë është një nga arsyet e mëdha që e kanë ndihmuar Barçën të thyejë të gjitha pritshmëritë për potencialin e ekipit. “Vrasësi” është në xhiro dhe dëshiron më shumë.67 6870111

Presidenti dhe trajneri kokë më kokë për të ardhmen

Kriza e Realit, Perez lëkundet për Ançelotin!

Kosova me renditjen më të mirë në histori

Renditja e FIFA-s, Shqipëria nuk ndryshon pozicion

Nuk kanë pësuar ende asnjë gol në 5 ndeshje

Interi është “bunkeri” që po mahnit… Europën

"Dua të jem golashënuesi më i mirë"

Jasir Asani nuk fshihet, synon ta mbyllë mbi Ronaldon