MENU
klinika

Kompania 'Gener 2' njofton aplikimin e tarifës

Autostrada Kashar-Thumanë bëhet me pagesë!

13.12.2024 - 20:00

Nga data 4 Janar e vitit të ardhshëm (2025), në autostradën Thumanë-Kashar nis aplikimi i tarifës së kalimit.

Kompania koncesionare “Gener 2” që ka ndërtuar dhe mirëmban të vetmin aks rrugor të kategorisë “A”, njoftoi sot (13 Dhjetor) nisjen e aplikimit të tarifës, pas 6 muajsh kalimi pa pagesë.

Vepra e re infrastrukturore 21 kilometra e gjatë, pjesë e “Korridorit Blu”, veç sigurisë dhe komoditetit, shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit për qytetarët dhe bizneset.

Autostrada Thumanë-Kashar është segmenti i parë i ndërtuar dhe i hapur për qarkullim prej 30 Qershorit, nga pesë të tillë që përbëjnë “Korridorin Blu”.

Kompania testoi në muajin Korrik sistemin e pagesës në këtë rrugë, ku pati denoncime edhe për abuzim me kursin e këmbimit të euros në tarifë.

Në atë kohë tarifa u kërkua 2.1 euro, por qytetarët denoncuan se në lekë u kërkoheshin 2700 lekë të vjetra, ose ndryshe kursi i këmbimit me mbi 1300 lekë të vjetra për 1 Euro.