“Unë mendoj se gjuha më fleksible në botë mund të jetë gjuha shqipe” – do shprehej Eminesku.
Mihail Eminesku, pseudonimi i Mihail Eminoviçi lindi më 15 janar 1850 në fshatin Ipotesht, Rumani dhe vdiq më 15 qershor 1889, në Bukuresht të Rumanisë, është poeti që arriti të transformojë si formën, ashtu edhe përmbajtjen e poezisë rumune, shkollë poezie që ndikoi fort tek shkrimtarët dhe poetët rumunë në fundshekullin e 19-të dhe fillimshekullin e 20-të. Gjeniu i letërsisë rumune ishte mendimtar i thellë dhe mjeshtër i rrallë i fjalës artistike.
Eminesku u arsimua në qendrën kulturore gjermano-rumune të Çernautit (tani Chernovtsy, Ukrainë) dhe në universitetet e Vjenës (1869-1872) dhe Berlin (1872-1874), ku edhe u ndikua nga filozofia gjermane dhe letërsia perëndimore.
Në vitin 1874, ai u emërua inspektor i shkollës dhe bibliotekar në Universitetin e Iasiut, por shumë shpejt dha dorëheqjen për të marrë postin e kryeredaktorit të gazetës konservatore “Timpul”. Veprimtaria e tij letrare përfundoi në 1883, kur filloi të vuante nga çrregullime mendore që çoi drejt vdekjes së tij në një azil.
Çmenduria e Emineskut, e përfolur me zell shpesh rraskapitës, trajtuar rëndom si fund dramatik i denjë për gjenitë e herë si pasojë e natyrshme e vetmitarëve që dalin nga koha e hapësira për t’u bërë banorë të parakohshëm të shpirtit, mbetet e diskutueshme.
Talenti i Emineskut u shfaq së pari në 1870, nga dy poema të botuara në “Convorbiri literare”, organi i shoqërisë Junimea në Iasi. Të tjera poezitë pasuan, duke e shndërruar në poetin më të shquar modern rumun.
I prirur në mënyrë msitike dhe me një natyrë melankolike, ai jetonte në madhështinë e të shkuarës medievale rumune dhe në folklor, në të cilën ai bazoi edhe një nga poezitë e tij të shquara: “Luciferi” (“Ylli i mbërmjes”, 1883).
Lindur në vitin që vdiq Balzaku, Mihal Eminesku i publikon poemat e para me një romantizëm herë të dobët, herë tejet pesimiste, në një epokë kur romantizmi oksidental ishte në grahmat e fundit të jetës.
Po kështu ai ka pësuar, sipas shumë kritikëve të vendit të tij, të gjitha llojet e ndikimeve, nga antikiteti klasik tek filozofia e Shopenhauerit, nga Eda skandinave në budizëm.
Ky romantik i përsosur shkroi “Liqeni” njëlloj si i madhi Lamartin, por vlen të përmenden edhe frymëzime absolutisht të magjishme tek poezitë e tij.
Më ka mbetur dhe një mall
Më ka mbetur dhe një mall:
Të më varrosni buzëdetit,
Nuk dua qivur të bukur,
Dhe as fjalime dhe flamur,
Bëmëni një shtrat me degë,
Hëna të ma ndritë varrin
Dhe te koka të kem një bli,
Ashtu do të ndjehem i lumtur
Në vetminë time.
Poezia e Emineskut dallohet për thjeshtësinë e gjuhës, një trajtim mjeshtëror të formës së rimës dhe vargut, një thellësi mendimi dhe një plasticitet shprehjeje që prek pothuajse çdo shkrimtar rumun në periudhën e tij dhe më pas.
Ai krijoi një poetikë dhe një metrikë krejtësisht të re, që e ngriti poezinë rumune në nivelet e poezisë botërore. Poezitë e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, por kryesisht në gjermanisht. Ndër shkrimet e tij të prozës, përveç shumë studimeve dhe eseve, më të njohurit janë historitë “Cezara” dhe “I pikëlluari Dionis” (1872).
Në vjershërimet e tij Eminesku ka përdorur rimën e përdorur nëpërmjet bashkimit të dy fjalëformimeve të ndryshme, njëra fjalë e plotë dhe tjetra e shkurtuar.
Deri tek ylli
Deri tek ylli që agoi,
Ësht-udha kaq e gjatë,
Sa mijra vite udhëtoi,
Të mbrrijë këtë natë.
Ndoshta u shoj që kur ai,
Humbi t’kaltra vegime,
Por-rrezja e tij vetëm tani,
Shkëlqen ndër vezullime…
Ikona e yllit që u zhduk,
Në qiell ngadalë struket,
Ishte kur lart ende s’u duk,
Nuk është sot që duket.
Ndodh po kështu kur malli shkon,
Humbet natës së shkretë,
Drita e dashurisë rron,
Na ndjek ajo përjetë.
Së fundmi, statuja e skulptorit rumun Vasile Gorduz, instaluar në “Place de la Roumanie” në Montreal, homazh për yllin e pashuar përcjell frymën romantike që karakterizoi jetën dhe punën e Emineskut. Një portret i poetit të marrë nga maska funerale, tiparet e fytyrës kapen në një shprehje pothuajse hyjnore.
Eminesku portretizohet në çastin e vdekjes: në gjysmë të rrugës ndërmjet botës së të gjallëve dhe asaj të përtejme. Një përzierje e ngazëllimit dhe lirikës, statuja bazohet në format dhe stilet e romantizmit, duke krijuar një lidhje me mënyrën e të shkruarit të Emineskut.
Duart janë në pozicionin e dikujt që po reciton, ndërsa këmbët e zbathura flasin për përulësinë e një prej poetëve të mëdhenj të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Historiani rumun Nicolla Jorga e konsideron Emineskun si nunin e letërsisë moderne rumune. Ai festohet njëzëri si poeti më i madh dhe më përfaqësues rumun.