MENU
klinika

36 mjeshtra për femrën

“Përjetësia femërore” shpërfaqet në një ekspozitë

06.02.2019 - 16:18

Ekspozita “L’eterno femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i 20 deri më sot” është çelur me veprat e 36 artistëve në rezidencën e Italisë në Tiranë.

Është bërë një përzgjedhje veprash të artistëve dhe artisteve shqiptare nga shekulli i 20 deri në ditët e sotme, që kanë portretizuar figurën femërore. Ekspozita “L’eterno femminino” (Femërorja e përjetshme) bën bashkë artistë të brezave të ndryshëm, nga periudha e 900 deri më sot. Për 3 muaj ekspozita e veçantë do të qendrojë në rezidencën ambasadës italiane.

Ky udhëtim i rëndësishëm në shekullin e 20 dhe të 21 vjen nëpërmjet përpjekjes së rëndësishme të qenies humane për të qenë. Dimesioni i njeriut nga antikiteti e deri më sot ka kaluar nëpërmjet vetvetes dhe rrugëtimit të tij. Nga njeriu që nuk e dinte se kush ishte për ta kuptuar atë në tempull me shprehjen ‘’Njih vetveten’’, një njeri i pakuptuar thellësisht në lëndë po i gjetur në formë, udhëton në epokën kur Zoti duhet t’i jepte mëshirën që të ishte, dhe të vinte falë mësimeve të tij më i fortë se kurrë, të dimesionohej aty ku duhej, në këtë pikë njeriu, nuk ishte po gjendej. Gjendja i ridimesionuar në kuptimin e famshëm kur arti dhe kultura iu rikthye antikitetit grek dhe romak, atë të njeriut, njeriut si formë, si shprehje, si gjendje.

Në këtë ndryshim ai u shtyp me dhunë nga ‘’njeriu duhet të lindë’’ në njeriu nuk duhet të gjendet ashtu si është. Këtë periudhë nuk nguruan të krijojnë figurën e femrës në të gjithë sensualitetin e saj nga ato shënjtërore të religjionit e deri te femra me hiret dhe fajet, problemet e saj ekzistenciale.

Njeriu e kuptoi veten nga tjetri, dhe pas shekullit të 18 e gjen fort veten në rrugëtimin e shpërfaqshëm të udhëtimit të artit. Motoja filozofike në këtë ‘’njeriu njihet nëpërmjet tjetrit’’ vjen me forcë përkundrejt një iluminizmi tashmë të fikur, atë mesjetar. Ky art në të gjitha format dhe rrymat e tij dha shembullin e tij për një njeri të rizgjohej me të gjitha nuancat e tij, me të gjithë dimesionin, të gjithë gjëndjen dhe të gjithë kontributin për të qenë. Vitet 60 të shekullit të 20 risollën personalizmin e njeriut për jo vetëm për të ekzistuar, por për të qenë, për t’u përmbushur në shpirtërore dhe ndërgjegjshmeri, dy anë të medaljes të mijëvjeçarëve. Një supernova i ndritshëm dhe i simbolizuar gjithfarësh nëpërmjet artit të qenies, atë të njeriut konkret.

Por çfarë rrugëtimi ndjek qenia femër në këtë udhë të shtruar në këtë histori? Si mund të shprehej ajo në art dhe si shprehet arti shqiptar për qeniën femër?

Imazhi i femrës vjen e ngjizet nga kohët protoike nëpërmjet simbolikës së botës. Ajo ishte ‘’Nëna e Madhe’’ e mbrujtur nga lënda si koncept.

‘’Por fjala ‘lëndë’ vazhdon të mbetet koncept i thatë, i pashpirt dhe thjeshtë intelektual, që nuk ka asnjë kuptim psikik për ne. Sa ndryshon ai nga ish-koncepti arkaik i lëndës, kur ajo quhej ‘’Nëna e Madhe’’, një koncept që mund të përqafonte dhe shprehte kuptimin e thellë afektiv të Tokës Mëmë. Gjithashtu ajo që dikur ishte ‘shpirti’, sot njehësohet me intelektin, duke rreshtur së qeni Ati i Gjithçkaje. Ky koncept degradoi deri sa ra në limitet e mendimit që shprehej te ’Ati ynë’ humbi në rërën e një shkretëtire intelektuale.’’ Kështu shprehet për simbolikën e femrës Karl Jung.

Më pas ajo kalon në perëndi të shumë imazheve, nga Afërdita dhe përfytyrimeve njerëzore, deri aty sa i jep pushtet, si psh., mbretëresha Teuta, derisa e ndrydh në 1 mijë e 1 lloj procesesh. Vetvetja e saj sillet nga mosqenia në qenie dhe përsoset si e bukur në art vetëm pas rilindjes. Me shpërfaqjen e qenies femër pas shekullit të 18, ajo, si qenia njeri ridimesionohet jo thjesht për të ekzistuar, ajo pozicionohet për të qenë, për t’u përmbushur. Ajo ka trini të simbolikës së saj të fuqishme midis nënës, gruas dhe femrës.

Këto tri elementë gjithmonë kanë thurur art pasi gjendja e saj midis bukurisë, sensualitetit dhe dashurisë ndjell gjithmonë art. Romanticizmi dhe sidomos nacionalizmi e krijon femrën në një madhështi të reme që e quan nënë e gjithë kombit e deri te simbolika e përsosshmërisë. Realizmi i një kohe ku donte njerëz ideal vjen me ‘Realizmin Socialist’ si një superfemër përkrah burrit ‘Të pamposhtur’, e njëjtë me të, por jo e plotë, jo vetvetja, ajo vjen e fortë dhe guximtare në jetë, por e gjithë kjo trimëri sjell vuajtjen e saj për të qenë, ndryshe është trimëria, dhe ndryshe do të thotë të jesh i përmbushur në vete.

Imazhi femëror mbetet ndër subjektet më frymëzuese në çdo periudhë të artit pamor botëror lëvruar prej artistëve të dy gjinive. Nuk ka ndryshim Shqipëria në artin e vet për ta paraqitur femrën nënë dhe gruan, vajzën, të dashurën, njeriun, qenien e saj si gjithë bota, sentimentalizmin, eroticizmin, dashurinë, ndjenjat gjithfarëshe. Shqipëria ka pasur dhe është pjesë e të gjitha ndikimeve në art dhe e përplotësuar me mangësitë e veta.

‘’Përjetësia fëmërore’’ e solli të plotë gjendjen femër nëpërmjet një ekspozite plotësuese të 36 emrave të njohur të pikturës në Shqipëri. Te ajo vjen e shpërfaqet një femër me gjithë figurën e saj. ajo vjen bukurinë, forcën, inteligjencën, dramacitetin realizuar në portrete, nudo e kompozime.

Tri periudha nëpërmjet artit përfaqëson kjo ekspozitë dhe këto përfaqësojnë tri etapa të rëndësishme, atë të viteve 1920, të periudhës së sistemit komunist, regjim totalitar që u udhëzua nga totalitarizmi dhe diktatura e proletariatit, si dhe me periudhën krijuese pas viteve 1990 kur liria pafund solli karakteristika të zhvillimit të artit nëpërmjet qenies femër.

Figura femërore vjen e plotë në këtë ekspozitë, dimensionin e saj të shtrirë në historinë shqiptare e shpjegon kuratori Artan Shabani.

‘’Latinët e quanin Mater Matuta, gjallëruese e jetës, Nëna e madhe, e cila konsiderohej Perëndesha e pjellorisë.’’

Kështu i rikthehet ai funksionit të femrës në mijëvjeçarë sa dhe simbolikës së gjithanshme të saj. Një lloj matriakalizmi që femra e meriton ta ketë në piedestal sa dhe se ka merituar funskionin e brishtë të saj të të qenit në funksion shtesë apo të cunguar. Piktorët janë të mbrujtur të gjithë në këtë diapazon kulture dhe janë munduar të përfaqësohen me këto ekspozita me më të mirën e tyre, të organizuar, të profilizuar dhe të nderuar në punën e tyre.

Kuratori Artan Shabani, e ka nisur ekspozitën në mënyrën e tij, me një portret të Lasgush Poradecit realizuar në vitin 1923. Suzana Varvarica e ndaluar në vitin 198, prezantohet si fund dhe fillimi i një etape tjetër.

Lek Tasi si artist gjatë krijimtarisë së tij ka prekur elementin femëror, gjithnjë duke pasur një thellësi mendimi, në këtë rast sjell rivalitetin në art gati në kufijtë e tragjikes. Gruaja, mbetet ndër subjektet më të trajtuara në rolet e saj në shoqëri dhe me domethëniet e tyre simbolike. Çdo pikturë në vetvete plotëson të gjithë dimesionin e saj. Ajo vjen si një vimësi e artit pamor. Spikasin emrat të njohur të historisë së artit tonë ndër vite si; Arben Bajo, Llambi Blido, Pëllumb Bylyku, Adrian Çene, Kristanja Çene, Greta Dhaskal Lami, Mumtaz Dhrami, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Flutura Maçi, Lasgush Poradeci, Robert Përmeti, Qamil Prizreni, Sofia Zengo Papadhimitri, Simon Rrota, Albana Shoshi, Zef Shoshi, Suzana Varvarica, Vilson Kilicia.

Secila pikturë apo skulpturë mundohet të deshifrojë simbolikën e femrës dhe çfarë është ajo në vetvete. Një udhëtim se si duhet të përfaqësohej ajo dhe si mund të jetë ajo me gjithë forcën e saj në një liri, në një qenie të plotësuar apo të ndrydhur, apo të urdhëruar për të qenë njeri ideal. Pikëpamjet estetike për të sjellin e përthyejnë një art që funksionon sipas etapave, shijeve, motiveve të artistëve, funksioneve të saj sipas periudhave në shoqëri.

Në vetvete ky udhëtim në këtë ekspozitë shpreh dhe një periudhë historike të deshifruar me simbole, mite, me ndrydhje aq sa paragjykime, një femër që shpall, sa feminimitet, deri te përsoshmëri autorësh, autoportrete deri tek femra ndryshe nga e njëjta, dhe ndrydhe nga çdo e ndryshme, domethënë ‘femra tjetër’ sa dhe femra me tipare të caktuara etnike dhe përfaqësuese e peridhave.

Sipas kuratorit veprat e para me subjektet kushtuar femrës i gjejmë në pjesën e parë të 1900 shqiptare. Kjo periudhë përkon me ndikimet në shkollat revolucionare si ato të Italisë në art, Vjenës, etj veçanërisht tek, Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Simon Rrota, Kol Idromeno, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo, Androniqi Antoniu etj. Sipas kuratorit, jo më pak nga rëndësia janë portretet, nudot, kompozimet e figurave femërore nga artistet e kohës si: Andrea Kushi, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka etj.

Pas kësaj periudhe shfaqet figura e femrës shqiptare deri në vitet ’61 të tipareve të sistemit komunist dhe të pikëpamjes lindore të të bërit art, sa dhe artistë të arsimuar në “I.E.Rjepin” në Leningrad sot Shën Petërburg, në Pragë, në Bukuresht, Sofie, Varshave, Beograd, Zagreb etj. Ky këndvështrim shihet sipas kuratorit nga skulpturat e shesheve tek posterat e kinostudios dhe pllakatet unike të Safo Markos, Pandi Meles, Ibrahim Çezmës, Shyqyri Sakos, Ksenofon Dilos etj.

Një kushtim të vëmendjes ai i kushton portretit të Lazgush Poradecit ‘’Vajza me sytë me gjak’’ por nuk lë pas atë të Kristanja Çene që vjen me një autoportret, është një femër e ndjeshme dhe sensibël. Një vëmendje të veçantë ai i kushton krijimit që mbart piktori Guri Madhi në vitet 1966 e deri tek përfaqësimi i gruas shqiptare të Ibrahim Kodrës dhe Simon Rrotës. Secili ka një histori dhe një mit simbolik të femrës. Secili fizionomi e portreteve vjen me një gjuhë të personalizuar të aktorëve në mënyrën e tyre.

Në kujtesën e kësaj kohe janë femrat e ngritura në panteon, femra e një periudhe idilike, po aq sa e mundimshme dhe e një dëshire artistësh për të nxjerrë më të mirën e tyre në kushtet e lira në rrethim.

“Demostrata e bukës” e Skënder Kamberit, ku femrat protestojnë kundër zisë së urisë dhe përleshen një për një me burrat; “Heroinat Persefoni Kokëdhima dhe Bule Naipi” të Piktorit të Popullit Guri Madhi; “Nëna shqiptare” e Lec Shkrelit, që lufton kundër pushtuesve osmanë; “Tornitorja” e Zef Shoshit, zgjedhur nga kuratori Adam Szymczyk për Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë, përgjatë “Documenta 14”; “Vajza me shpatë” e Sali Shijakut, që mban në dorë si trofe kokën e pushtuesit – sulltan, një ndër veprat më të fuqishme që trajtojnë figurën e femrës luftarake; “Shqipëria vallzon” e Abdurrahmin Buzës, ikonë e pikturës shqiptare, ku shpalosetharmonia dhe moderniteti i tablosë, mjeshtërisht të arrirë nga piktori; “Vajzat me biçikleta” e Vilson Kilicës që ngelet padyshim një nga veprat me të pëlqyera nga të gjithë artëdashësit për ngjyrat e saj: një shpërthim i vërtetë i talentit të autorit; artistë të tjerë të rëndësishëm si Fuat Dushku, Dh. Gogollari, Andrea Mano dhe Perikli Çuli me monumentin “Katër heroinave të Mirëditës”; Niko Progri me “Lajmet e mëngjesit”; Agim Faja me “Gratë e fshatit tonë”; Jakup Keraj me “Mjelësja”; Dhimitraq Trebicka me “Pas qitjes”; Skënder Kamberi me “Buka e duarve tona”; Agim Shami me “Orizoret” etj.

Lekë Tasi, vjen i veçantë me një botë të tij personifikemsh në njgjyrë dhe imazh, me figura të abstraguara për ndjenjën, dashurinë. Steriotipi për të bukurën nuk mund të ndalojë, tipi për të bukurën nuk ka fund, në shije dhe në perfomancë.

Gjithkush në këtë ekspozitë tërhiqet nga një dëshirë, nga një koncept mbi të bukurën dhe mbi funksionet që ka femra në jetën e saj, kjo gjendet edhe tek imazhi i Brikena Berdos, një artiste reflektuese mbi roli ne femrës.

Femra e Robert Përmetit duket si një imazh të një femre më sensual po aq sa Albana, e bija e mjeshtrit Zef Shoshi, sjell në këtë ekspozitë “Përtej murit”. Zef Shoshi, solli dy epoka në ekspozitë me “Nusen e re”.

Te femra nga piktura në pikturë shfaqet bashkëkohorja sa piktura tradicionale që të bën të reflektosh në mënyrën si profilizohen artistët në mendimet e tyre. Zini Veshi sjell “Dy gra në breg të oqeanit”. Ai do të paraqesë ekzistencën e qenies së femrës nëpërmjet burrit, si dy pjesë që përbashkohen në personalizmin e saj.

Në ekspozitën “Përjetësia femërore” imazhi i një dorë e zgjatur drejt dy fëmijëve tërheq vëmendjen, një vepër që kuratori i ekspozitës Artan Shabani e ka krijuar në 2019-tën. Kjo dorë esencë e gjithë përpjekjes së ekzistencës së autorit, e dashurisë mëmësore dhe e mbrujtjes së personalitetit të tij.

Por në këtë ekspozitë dallohet edhe femra e quajtur ‘’Pjelloria’’ e Janaq Paços, femrës me muskuj të Pandeli Mele e deri të ‘’Ujitëset’’ e Guri Madhit. Një femër e ekuilibruar e Pëllumb Bylykut deri te ajo plot hijeshi e traditë të Qamil Prizrenit, Mirela e Skënder Milorit, vazjës së tij.

Në të ka shumë femër, grua,njeri dhe shumë të ndryshme, shumë funksionëshe, shumëngjyrëshe, shumëpërmasore ashtu si qenia është, përplotësimi i jetës dhe shumë art, shumë artistë, shumë plotësi për t’u eksploruar.

Ekspozita do të qëndrojë hapur për publikun deri në datë 30 prill 2019.

Nga Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN