Hetim mbi Ermalin

Nga buron fuqia e një shoumen-i si Ermal Mamaqi? Konica.al do mundohet ta kuptojë këtë me një formë surprizë në vendin e...krimit...

VIDEO >> PJESA E PARË E INTERVISTËS

Pëlqeni Konica.al në Facebook

Çfarë është elementi i përbashkët, përcaktues i suksesit tek një politikan, njeri të shout, një ndërmarrës, një tregtar, një sportist? Është audienca, publiku, përdoruesit, klientët. Ermal Mamaqi është një njeri i shout, që ka audienca të frikshme, – do thoshte dikush gjithë llastim për fjalën “e frikshme”. Domethënë çdo shfaqje e tij publike në televizion, në mediat sociale, apo në aktivitete në diasporë, në vend, krijon ndjekje masive. Kudo që shfaqet, megjithëse sot mediat sociale mundësojnë përcjelljen botërisht të çdo shfaqjeje të individit. Në kohë reale.

Audienca, publiku, përdoruesit apo klientët, nuk kanë ngjyrë specifike. Nuk kanë emra të përveçëm. Ata janë të të gjitha llojeve, moshave, përkatësive, vendbanimeve, ngulimeve moderne apo të vjetra të shqiptarëve në viset e Shqipërisë politike, apo ku i ka çuar era e mërgimit kolektiv apo aventurës individuale, madje deri në Alaskë.

Ermalin e pëlqen një fëmijë nga një fshat i Sarandës, por dhe një mesoburrë nga një fshat i Gjilanit. Për të mos folur për një grua mbi të pesëdhjetat që sapo është divorcuar në mërgatën tonë të re të Bostonit. Nuk dua të përmend këtu të burgosurit me dënime të formës së prerë në burgun e Rrogozhinës që ndjekin çdo shfaqje të tij, që pastaj e riprodhojnë.

Në këtë qasje të suksesshme, asgjë nuk është e qortueshme. Ndjekja është qartësisht sukses, sa kohë që ajo nuk realizohet me mjete vulgare shprehjeje, apo me trajtim vulgar të realitetit dhe individit. Afërmendsh që regjistri komunikues i një shoumeni si Ermali nuk është shumë intelektual, por kjo nuk e bën të paragjykueshëm. Një adoleshenti apo dhe një fëmije nuk mund t’ i drejtohesh me një gjuhë akademike si një profesori.

Kanalet e komunikimit të tij nuk janë vetëm një-shou i tij në Klan, por dhe portali, pjesëmarrjet e ndryshme në koncerte, prezantimet, madje dhe pjesëmarrja në gëzimet e jetës së njerëzve të ndryshëm. Njëra dorë lan tjetrën, të gjitha lajnë fytyrën, do duhej përshtatur shprehja e vjetër për gjithë shfaqjet publike të Ermal Mamaqit.

Dikush thotë se Ermali ushqehet me histori nga më të ndjekurat e humorit botëror, të cilat i përcjell me talentin e tij origjinal tek publiku. Ku qëndron problemi këtu? Njëlloj si me kulturën në përgjithësi, është krejt e qartë se ka vlerë ajo kulturë e një vendi, që është e hapur për kulturën universale, sepse përndryshe nuk do dinim për dembelizmin e malazezit, aventurizmin e italianit, ngurtësinë e gjermanit dhe humorin e anglezit.

Kjo audiencë është burim fuqie të përdorshme në shumë forma. Kjo fuqi mund të arrijë të ndryshojë shumëçka në bindjet kolektive. Kjo gjë duhet hetuar tek Ermali dhe tek kushdo që nga një fushë e caktuar aktiviteti, mund të kuturisë të merret për shembull me politikë. Por me siguri duhet futur të ndihmojë në kauza sociale. Ashtu si duhet hetuar si sillet ai me të dobëtit dhe seksin e dobët. A është serioz në humor dhe a bën humor me seriozen? Një njeri i humorit duhet hetuar dhe si ushqehet ndryshe që të jetë gjithmonë në nivele të larta. Në cilat burime pi ujë. Çfarë modelesh profesionale dhe shoqërore ka?

Fotogallery e “hetimit”!
(konica.al)- Pas siparit që u ngrit sot, në “2+ 1”, shohim Mentor Nazarkon dhe Ilnisa Agollin. Do flasim për audiencën dhe jo vetëm. E, për të analizuar nënshtresat e arsyes, duhej dhe doemos një shkrirje, një si lloj parfumi, që Ilnisa e mban në çantë. 
Ermal Mamaqi, ky njeri i show-t, që krijon “audiencën e frikshme”, sa i takon ndjekjes masive ishte personazhi parë që iu bashkua, lindjes më të re të www.konica.al.
 
Në fakt, kjo audiencë, është një lloj burimi, që mund të përdoret në shumë forma, e këto forma mund të ndryshojnë shumëçka kolektive. 
 Si t’ia bëjmë? Duhet, hetuar, apo jo? 
Ndaj sot “gjykata” çeli seancën  e saj të parë, me në krye Mentor Nazarkon dhe Ilnisa Agollin. 
Pra, në cilat burime pi ujë Ermali? 
Mbetet për t’u zbuluar.