Menu

Pyetje & Pergjigje

Unë jam 27 vjeç dhe jam 7-muajshe shtatzënë! Mes dhimbjes dhe frikës që kam ndaj anestezisë, zgjedh anestezinë! Por edhe këtë të fundit për hir të së vërtetës tmerrohem kur e mendoj! Doja të dija a është e dëmshme për mua dhe për foshnjën?

Përgjigjet Apostol Vaso, anestezist: Nëse pyet për anestezinë, nuk ka asnjë efekt për fëmijën dhe për ty. Nëse pyet për frikën si fenomen, nuk ka rëndësi nga anestezia apo dhimbja, ajo vetë si kondicion shkakton kontaktura të gjeneralizuara të cilat nuk janë të mira, si për ju, ashtu edhe për fëmijën tuaj.
Apostol Vaso

Ka rreth një muaj që dhimbja e kokës më kap shumë shpesh! Unë pi paracetamol, pi 2 deri në 3 kokrra sepse me një nuk më pushon. Çfarë më sugjeroni ju lutem?

Përgjigjet Suela Ylli, Shefe e Shërbimit Farmaceutik të Polit të Spitalit Francez: Nëse dhimbja e kokës zgjat kaq gjatë, e rëndësishme të përjashtohen disa faktorë. (Qëndrimi gjatë në kompjuter, gjumi jo i mirë dhe jo i plotë.) Mund të keni kaluar një gjendje gripale, e cila mund të ketë lënë pasoja, në inflamimin e sinuseve që gjithashtu jep dhimbje koke! Diçka tjetër mund të jetë luhatja e tensionit arterial. Gjithsesi mund të përdorësh diçka më të fortë se paracetamoli. Për shembull Ibuprofen. Nëse dhimbja konsiston, duhet një vizitë më e detajuar për të përjashtuar ndonjë patologji.
Suela Ylli

Jam nënë për herë të parë dhe kam një vajzë 6-muajshe e 3 javë. E kam ushqyer me qumësht gjiri dhe nga mosha 5-muajshe i fillova muhalebinë se më dukej se nuk e ngopja. Në fillim i dhashë muhalebi orizi dhe kam dy javë që i jap gruri. Sot vura re se kishte si ngjyrë qershije tek pampersi kur kishte defekuar. A duhet të shqetësohem, nga se i ka ardhur?

Përgjigjet pediatre Alketa Hoxha: Në radhë të parë urime që e keni ushqyer me qumësht gjiri. Në disa raste, pasi e vlerëson mjeku, foshnjës i fillohet pak shtesë nëse nuk e ngop vërtet nëna. Kjo që keni vënë re në feçe nuk është normale. Që feçet të kenë gjak si në vishnje apo si reçel qershije në këtë moshë ka një shkak që është më i shpeshti që vjen si rezultat i pranisë së Glutenit në qullin me grurë që ju i keni dhënë foshnjës tuaj. Kjo ndjeshmëri e shtuar e foshnjës zbulohet që pas lindjes nëse i bëjmë atë që quhet analiza metabolike dhe nëse rezulton pozitive foshnja do ushqehet me ushqime pa gluten. Por kjo nuk ka vlerë tani tek foshnja juaj pasi ju nuk e keni bërë atë analizë. Po a ka shkaqe të tjera që mund të çojnë në këto shenja që ka foshnja juaj? Po, ka dhe disa shkaqe të tjera që janë më të rralla dhe nuk mund t’jua shpjegojmë këtu. Për këtë arsye unë ju këshilloj që të bëni një konsultë me një mjek gastro-hepatolog pediatër, i cili do të saktësojë diagnozën dhe do t’iu tregojë se si do të ushqehet foshnja juaj në të ardhmen që mos ketë probleme.
Alketa Hoxha

Unë udhëtoj gjithë kohës dhe variçet më shtohen dita-ditës. A ndikojnë udhëtimet në shfaqjen e tyre? Ç’të bëj për t’i trajtuar?

Përgjigjet Edmond Nuellari, kirurg vaskular: E kuptoj shqetësimin tënd, por duhet të dish se variçet kanë prirje të shtohen me kalimin e kohës dhe si të tilla duhen trajtuar. Këshilloj të bësh një vizitë, që të vlerësohen në cilin stad janë!
Edmond Nuellari

Dhëmbët i kam shumë të verdhë, pavarësisht se i laj çdo mbrëmje dhe mëngjes, sërish ashtu i kam….Çfarë më këshilloni ju lutem

Përgjigjet stomatologe Edit Xhajanka: Ngjyra e dhëmbëve natyralë varion individualisht në çdo person. Ajo varet nga trashëgimia, por dhe nga mosha, nga konsumimi i duhanit, kafesë, verës, ushqimeve me ngjyrues etj. Me kalimin e moshës, ngjyra errësohet, po ashtu ndikon dhe gërryerja e dhëmbëve, apo abrazioni, proces i cili largon smaltin, me ngjyrë më të çelët, duke ekspozuar shtresa me ngjyrë më të errët, si dentina. Pastrimi i dhëmbëve është i domosdoshëm dhe ndikon në largimin e pllakës bakteriale dhe të ngjyruesve ose lëndëve që pigmentojnë dhëmbët, por nuk zbardhin dhëmbin natyral. Kjo është arsyeja që edhe pse ju i lani dhëmbët rregullisht, ngjyra nuk ndryshon. Sot në treg ka pasta dhëmbësh me efekt zbardhues, e cila duhet të përdoret mbi 2 herë në ditë. Efekti është kalimtar. Ka gjithashtu dhe zbardhues të kategorive të ndryshme. Zbardhuesit, në varësi të përqendrimit të lëndës aktive, sigurojnë zbardhjen e dhëmbit, por japin dhe një sërë efektesh anësore si rritje e ndjeshmërisë së dhëmbit, porozitete të sipërfaqes së smaltit, rritje të thyeshmërisë së dhëmbit, etj. Për këtë arsye, nëse doni patjetër të përdorni zbardhues, do t’iu rekomandoja zbardhues me efekt të ulët ose të mesëm. Procedura duhet të ripërsëritet në intervale kohore 6 deri 12 muaj, në varësi të shumë faktorëve, sepse me kalimin e kohës, dhëmbi rimerr ngjyrën fillestare.
Edit Xhajanka

Kam bërë Bypass të zemrës 2 herë. Çfarë duhet të bëj që të mos më përsëritet?

Përgjigjet kardiologu Bekim Jata: Mundohu të mbash diabetin, tensionin dhe yndyrnat nën kontroll. Përdor rregullisht terapinë e rekomanduar nga mjeku. Bëj minimalisht 4-5 km/ditë ecje me hap të shpejtë. Bëj kontrolle periodike çdo 6 muaj tek mjeku kardiolog.
Bekim Jata

Mendoj se jam në gjendje depresioni nga informacionet që kam lexuar. Ju lutem mund të më jepni një recetë për të kontrolluar ankthin, rrahjet e larta të zemrës, pagjumësinë?

Përgjigjet Suela Ylli, Shefe e Shërbimit Farmaceutik të Polit të Spitalit Francez: Pikë së pari do të rekomandoja çajrat bimore. Kamomil para gjumit. Alternativa tjetër do ishte një tab valeriana po para gjumit. Nëse problemi vazhdon dhe s’ka lidhje me ndonjë problem apo shqetësim të ditës do rekomandoja një konsultë me psikologun ose neurologun.
Suela Ylli

Më kanë dalë disa njolla të kuqe vetëm në njërën këmbë dhe ditë për ditë po formohen edhe më shumë…

Përgjigjet mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero: Njollat në lëkurë janë dukuri apo elemente të zakonshëm të sëmundjeve të ndryshme me natyrë infektive, parazitare, alergjike, mykotike apo dhe sistemike, ndonjëherë patognomatike, apo përcaktuese për diagnozën e sëmundjes, ndonjëherë si elementë ndihmës për të vënë diagnozën dhe filluar mjekimin. Është mjaft e vështirë, për të mos thënë e pamundur të japësh një mendim të saktë pa i parë ose pa parë së paku një foto të tyre. Këshilla që mund t’iu jap në këtë rast është të drejtoheni te mjeku juaj i familjes i cili mund t’iu orientojë sipas rastit te një mjek specialist.
Pëllumb Pipero