MENU

Jam nënë për herë të parë dhe kam një vajzë 6-muajshe e 3 javë. E kam ushqyer me qumësht gjiri dhe nga mosha 5-muajshe i fillova muhalebinë se më dukej se nuk e ngopja. Në fillim i dhashë muhalebi orizi dhe kam dy javë që i jap gruri. Sot vura re se kishte si ngjyrë qershije tek pampersi kur kishte defekuar. A duhet të shqetësohem, nga se i ka ardhur?

Përgjigjet pediatre Alketa Hoxha: Në radhë të parë urime që e keni ushqyer me qumësht gjiri. Në disa raste, pasi e vlerëson mjeku, foshnjës i fillohet pak shtesë nëse nuk e ngop vërtet nëna. Kjo që keni vënë re në feçe nuk është normale. Që feçet të kenë gjak si në vishnje apo si reçel qershije në këtë moshë ka një shkak që është më i shpeshti që vjen si rezultat i pranisë së Glutenit në qullin me grurë që ju i keni dhënë foshnjës tuaj. Kjo ndjeshmëri e shtuar e foshnjës zbulohet që pas lindjes nëse i bëjmë atë që quhet analiza metabolike dhe nëse rezulton pozitive foshnja do ushqehet me ushqime pa gluten. Por kjo nuk ka vlerë tani tek foshnja juaj pasi ju nuk e keni bërë atë analizë. Po a ka shkaqe të tjera që mund të çojnë në këto shenja që ka foshnja juaj? Po, ka dhe disa shkaqe të tjera që janë më të rralla dhe nuk mund t’jua shpjegojmë këtu. Për këtë arsye unë ju këshilloj që të bëni një konsultë me një mjek gastro-hepatolog pediatër, i cili do të saktësojë diagnozën dhe do t’iu tregojë se si do të ushqehet foshnja juaj në të ardhmen që mos ketë probleme.
Alketa Hoxha