Përgjigjet stomatologe Edit Xhajanka: Ngjyra e dhëmbëve natyralë varion individualisht në çdo person. Ajo varet nga trashëgimia, por dhe nga mosha, nga konsumimi i duhanit, kafesë, verës, ushqimeve me ngjyrues etj. Me kalimin e moshës, ngjyra errësohet, po ashtu ndikon dhe gërryerja e dhëmbëve, apo abrazioni, proces i cili largon smaltin, me ngjyrë më të çelët, duke ekspozuar shtresa me ngjyrë më të errët, si dentina. Pastrimi i dhëmbëve është i domosdoshëm dhe ndikon në largimin e pllakës bakteriale dhe të ngjyruesve ose lëndëve që pigmentojnë dhëmbët, por nuk zbardhin dhëmbin natyral. Kjo është arsyeja që edhe pse ju i lani dhëmbët rregullisht, ngjyra nuk ndryshon. Sot në treg ka pasta dhëmbësh me efekt zbardhues, e cila duhet të përdoret mbi 2 herë në ditë. Efekti është kalimtar. Ka gjithashtu dhe zbardhues të kategorive të ndryshme. Zbardhuesit, në varësi të përqendrimit të lëndës aktive, sigurojnë zbardhjen e dhëmbit, por japin dhe një sërë efektesh anësore si rritje e ndjeshmërisë së dhëmbit, porozitete të sipërfaqes së smaltit, rritje të thyeshmërisë së dhëmbit, etj. Për këtë arsye, nëse doni patjetër të përdorni zbardhues, do t’iu rekomandoja zbardhues me efekt të ulët ose të mesëm. Procedura duhet të ripërsëritet në intervale kohore 6 deri 12 muaj, në varësi të shumë faktorëve, sepse me kalimin e kohës, dhëmbi rimerr ngjyrën fillestare.