MENU
klinika

Mentor Nazarko

Nevoja e autoriteteve morale

01.02.2017 - 09:16

Letra e Kadaresë, drejtuar zotit Lulzim Basha, provokoi, ashtu siç ai vetë e kishte parashikuar, reagime të mëdha gjegjëse, më së shumti nga militantët e njërit krah, atij pro qeverisjes. Edhe figurat publike që reaguan më së shumti ishin të rreshtuar pro qeverisjes. Siç dikush e kishte shqyrtuar me një farë kompetence gjuhësore, përgjigjja e Bashës për Kadarenë, në fakt, kishte ardhur prej Berishës. Ndoshta me të drejtë: letra e Kadaresë drejtuar Bashës, në fakt, nëntekstin më të fortë e kishte për vetë Berishën. Nuk dua të futem në drejtësinë e asaj letre, d.m.th. në drejtësinë e propozimit. Jo gjithnjë shkrimtarët i kuptojnë mirë këto punët e politikës, ndaj dhe mund të japin propozime të papërshtatshme. Ashtu-kështu, në politikën e dy krahëve, madje ka shumë letrarë të munguar, të dështuar, ndaj punët e mëmëdheut janë kaq keq edhe për këtë arsye. Por, ka diçka që meriton vëmendje në krye të herës në lidhje me letrën e Kadaresë.

A është mjaftueshëm i distancuar nga palët në konflikt shkrimtari dhe intelektuali i madh, saqë propozimi i tij të merret si i arsyeshëm nga shumica dërrmuese e opinionit publik? Me një fjalë, a është ai një autoritet moral i vendit, domethënë një figurë intelektuale e respektuar gjerësisht nga të dy krahët e politikës, respektivisht dy krahët e popullsisë që mbështesin dy krahët e politikës, saqë këshilla e tij të dëgjohet? Apo edhe nëse nuk jetësohet, prapëseprapë këshilla e tij të trajtohet me respekt. Në reagimet ndaj tij, qofshin në formë artikujsh, qofshin në blogje, shumë reagues kishin përmendur shumë nderime apo ndere që e djathta i kishte bërë Kadaresë. Askush nuk e kishte konsideruar hipotezën se pikërisht për këtë arsye, këshilla e Kadaresë mund të ishte vërtet dashamirëse për të djathtën. Ndërkohë, e majta ka qenë më e qortuara prej tij në këto 20 vjet pluralizëm, duke pasur më shumë arsye për të qenë e pakënaqur me të. Edhe diçka tjetër. Meqenëse ai flet shumë rrallë kaq drejtpërdrejt, mos vallë situata, konfliktualiteti, perspektiva jonormale, të cilën media, si “The Economist” e paraqiste si “buzë humnere”, e imponon zërin e tij?

Pra, qëllimi i këtij artikulli nuk është të merremi me thelbin e propozimit të Kadaresë, por me diskutimin për nevojën e autoriteteve morale të vendit, nisur nga situata që po kalojmë. Ky artikull synon të projektojë një ligjërim global mbi rolin e këtyre autoriteteve në ligjërimin tonë shqiptar. Në praktikën tonë shqiptare. Nisur nga përmasa globale e këtij diskutimi, m’u desh të lexoja një artikull të Majkëll Ignatiefit, një lider liberal kanadez, por i njohur më shumë si intelektual i shquar dhe lektor i universiteteve më të mira të botës, si Harvardi, Kembrixhi, Shkolla Ekonomike e Londrës etj., etj. Në një artikull të vitit 2000, ai nënvizon pikërisht “Vdekjen e intelektualit”, që sipas tij nuk gjendet më “te profesorët e nderuar, te burokratët e kulturës, te manipuluesit e turmave apo te bufonët e një lloji tjetër”. Në artikullin e Ignatiefit, që u referohet shoqërive të emancipuara perëndimore apo dhe asaj ruse, flitet kështu me një lloj trishtimi për vdekjen e intelektualit si “autoritet moral”. Sipas tij, kjo në Francë ka ndodhur me vdekjen e Sartrit, në Çeki me përfshirjen e Havelit në politikë dhe në Rusi u verifikua kur Solzhenicini i kthyer në atdhe, pa se tashmë “shoqëria e tregut nuk kishte më durim për mençurinë morale”.

Sot, sipas Ignatiefit, “nderimi i dikurshëm për intelektualin i ka lënë vend një populizmi me erë të keqe që i konsideron pa vlerë çdo lloj forme të autoritetit të vërtetë intelektual. Mendohej se demokratizimi i kulturës do të zgjeronte publikun, por përkundrazi, ajo ka ushqyer një refuzim populist kundrejt vetë kulturës”. Lind natyrshëm pyetja me karakter lokal: a vërejtëm në reagimin masiv kundër Kadaresë, shfaqje të këtij populizmi, të këtij refuzimi populist ndaj vetë kulturës që personifikonte Kadare? A reaguan ndaj tij “intelektualë të vdekur”?

kolana e librave

Pse Shqipërisë i duhen akoma autoritetet morale?
Disa vërejtje të Ignatiefit vlejnë vetëm pjesërisht për shoqërinë shqiptare, që është shumë më mbrapa shoqërive perëndimore të lartpërmendura. Ajo dhe institucionet që ka prodhuar sot gjenden të mbarsura me konfliktualitet politik të lartë. Rezultati zyrtar i zgjedhjeve, në rang kombëtar, ka krijuar një kundërvënie të qytetit ndaj fshatit, ku jetojnë thuajse në mënyrë të barabartë i njëjti numër shtetasish. Rezultati zyrtar 50% me 50% në rang Tirane reflekton të njëjtën ndarje. Sot vendit i duhen, si institucione të pavarura juridike, ashtu edhe autoritete morale që të ndalojnë përplasjen. Institucionet juridike dhe morale duhet të vendosin të drejtën, të zgjidhin konfliktet, t’i parandalojnë ato, të orientojnë mendimin shoqëror drejt një stadi të ri emancipimi. T’i thërrasin pjesës së shëndetshme të mendimit kombëtar që të parandalojë katastrofat e mundshme. Nevojiten akoma intelektualë që t’i tregojnë shoqërisë plagët e ekzistencës së saj. Ata nevojiten që të bëjnë arbitrin në situata konflikti, që të frymëzojnë mendimin kritik të shoqërisë të drejtuar ndaj dy krahëve, që të shndërrohen në pika referimi të pjesës gri të shoqërisë, të opinionit publik, në mënyrë të tillë që institucionet e drejtësisë të mos ndihen të braktisur në situata presioni të madh për to.
Duke u kthyer te Kadareja, duhet pranuar se ai mund ta bëjë këtë, sepse për një kohë bukur të gjatë ka ndenjur i distancuar nga politika ditore. Sipas Ignatiefit, ishte pavarësia financiare dhe morale ajo që e bënte Volterin të ngrihej në nivelin e autoritetit moral të shoqërisë së kohës së vet. Kadare nuk ia ka detyruar kurrë ekzistencën e vet financiare apo të çfarëdo lloji, ndonjërës nga palët në konfliktin shoqëror dhe politik në Shqipëri. Kadare ka treguar mjaftueshëm distancë nga palët dhe askush prej tyre nuk mund të shantazhojë moralisht atë. Ndaj, duhet ta marrim më seriozisht Kadarenë, duke mirëkuptuar ndërkaq, shumë prej atyre që iu kundërvunë. Ndihet se kjo periudhë e sotme ka prodhuar më shumë varësi, një rrjet më të dendur interesash që e kanë prangëzuar mendimin e lirë intelektual të sotëm, sesa për shembull fillimi i tranzicionit apo momente të tjera të tij. Është pikërisht kjo klimë varësie e prodhuar së brendshmi, ky rrjet i dendur interesash që bën të mos njohim shumë prej intelektualëve të dikurshëm, të vërejmë me trishtim konformizmin e tyre aktual në vend të guximit të dikurshëm, të shohim kaq shumë transformizëm në 20 vjet.

“Kush do të flasë për publikun?” – pyet Ignatiefi? Intelektuali i pavarur, gazetari, shkrimtari, mësuesi, produktori televiziv nuk kanë qenë kurrë më të nevojshëm sesa sot për të ndarë grurin nga egjra, por ata kurrë nuk kanë munguar si sot. Kadare, i shpëtuar prej prangëzimit moral, prej këtij rrjetëzimi interesash të tranzicionit tonë, foli për publikun, sepse foli thjesht, siç dinë të bëjnë autoritetet morale. Koha që po kalojmë, perspektiva e buzë humnerës për të cilën fliste “The Economist”, na e imponon ende nevojën e autoriteteve morale.

*Opinion i botuar tek e perditshmja ‘Panorama”, 1.6.2011